Në reagimin e saj, Qeveria ka theksuar se pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit, por ka ritheksuar kritikat ndaj Dhomave të Specializuara, veçanërisht për transparencën e procedurave dhe respektimin e të drejtave të palëve.

Sipas Qeverisë, ngritja e shqetësimeve për funksionimin e institucioneve të drejtësisë nuk bie ndesh me respektimin e vendimeve të tyre.

“Pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Në këtë kuptim, kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”.

Qeveria ka theksuar se angazhimi për sundimin e ligjit dhe respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor, duke shtuar se drejtësia duhet të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme.

“Besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato. Prandaj, angazhimi ynë për sundimin e ligjit dhe insistimi për respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor: drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”.

Ndryshe, në aktgjykimin e shpallur sot, Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim, ndërsa Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu me nga 12 muaj burgim. Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

Smakaj dhe Fazliu do të lirohen, pasi dënimet e tyre konsiderohen të mbuluara me kohën e kaluar në paraburgim.