Një gazetar nga Kosta Rika, i cili kishte denoncuar lidhje të dyshuara mes politikanëve dhe trafikantëve të drogës në këtë vend të Amerikës Qendrore, është vrarë me armë zjarri.

Policia njoftoi se persona të armatosur mbi një motoçikletë i zunë pritë Camilo Rodríguez-it, 50 vjeç, ndërsa ai po udhëtonte me makinën e tij në veri të kryeqytetit, San José, të hënën pasdite.


Gazetari i pavarur kishte deklaruar më herët se kishte marrë kërcënime me vdekje nga bandat e trafikimit të drogës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Mediat vendase raportuan se kjo është vrasja e parë e një gazetari në Kosta Rika në më shumë se dy dekada.

Ngjarja ndodh në një kohë kur bandat e krimit ndërkombëtar po shtojnë praninë e tyre në vend, duke rritur shkallën e vrasjeve, e cila më parë ishte e ulët.

Presidentja e Shoqatës së Gazetarëve të Kosta Rikës, Yanancy Noguera, u shpreh se "të gjitha provat deri më tani tregojnë për heshtjen e një zëri kritik në Kosta Rika – një personi që publikonte informacione mbi krimin e organizuar në vend".

Rodríguez kishte punuar si gazetar për disa dekada, si në radio ashtu edhe në shtypin e shkruar.

Kohët e fundit, ai publikonte video në rrjetet sociale ku përmendte me emër figura publike – si gjyqtarë, biznesmenë dhe politikanë – duke pretenduar se ata ishin të korruptuar ose kishin lidhje me trafikantë të njohur droge.

Në një nga videot e tij, ai pretendoi se shtëpia e presidentes së Kosta Rikës, Laura Fernández, ishte ndërtuar nga një kompani që, sipas tij, kishte lidhje me një bandë kriminale.

Fernández, e cila i mohoi kategorikisht akuzat për çdo shkelje, e paditi gazetarin në gjykatë për shpifje.

Duke reaguar ndaj vrasjes së tij përmes një mesazhi video, presidentja e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si "një njollë mbi lirinë e shprehjes".

Ajo shtoi se i ka dhënë udhëzime policisë që të bëjë çmos për të "ndëshkuar vrasësit e Camilos".

Rodríguez kishte tentuar gjithashtu të përfshihej në politikë, duke kërkuar të kandidonte për president nën siglën e Partisë së Rinovimit të Kosta Rikës në vitin 2021.

Megjithatë, kandidatura e tij u refuzua nga autoritetet zgjedhore, pasi partia nuk arriti të përmbushte kriteret e nevojshme për regjistrimin e kandidatëve.

Prokurori i Përgjithshëm i Kosta Rikës, Carlo Díaz, tha se "të heshtësh dikë që raporton për trafikun e drogës ose korrupsionin – në këtë rast një komunikues – është një sinjal që nuk mund ta tolerojmë në një shoqëri demokratike". /Telegrafi/