Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka prezantuar një traditë të ushtrisë amerikane të njohur si “Payday Activities”, e cila është sjellë në ambasadë nga ambasadori amerikan, Wendt.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada bën me dije se aktiviteti shërbeu për të mirëpritur kolegët e rinj, për të nderuar ata që po largohen dhe për të vlerësuar punonjësit që kanë dhënë kontribut përtej detyrave të tyre.

“Prej Luftës Amerikane për Pavarësi e deri më sot, traditat më të mira janë ato që i bashkojnë njerëzit. Ambasadori Wendt prezantoi së fundmi në Ambasadë ‘Payday Activities’, një traditë krenare e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara”, thuhet në postimin e ambasadës.

Më tej, ambasada thekson rëndësinë e punës në grup dhe bashkëpunimit të stafit, duke nënvizuar se çdo ditë punonjësit angazhohen për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Çdo ditë, ky grup i jashtëzakonshëm punon së bashku për t’i bërë Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë më të forta, më të begata dhe më të sigurta”, përfundon postimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb