Pikat e forta të Irlandës dhe Kosovës para përballjes vendimtare në Ligën e Kombeve
Kombëtarja e Irlandës mbështetet te forca në shtëpi, intensiteti dhe forma e sulmuesit Troy Parrottit, ndërsa Kosova synon ta shfrytëzojë organizimin taktik, stabilitetin mbrojtës dhe rrezikun që paraqet Vedat Muriqi në sulm.
Irlanda dhe Kosova përballen sonte (e martë) në Dublin, në një ndeshje që do të përcaktojë se cila prej tyre do ta sigurojë pozitën e dytë në Grupin 3 të Ligës B të Ligës së Kombeve dhe një vend në plejofin për promovim në Ligën A.
Me Austrinë që tashmë e ka siguruar vendin e parë, vëmendja është përqendruar te kjo përballje. Kosova hyn në ndeshje me një pikë më shumë se Irlanda dhe i mjafton barazimi për ta ruajtur pozitën e dytë, ndërsa vendasit kanë vetëm një mundësi: fitoren.
Pikat e forta të Irlandës
Irlanda do të kërkojë ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas dhe mbështetjen e tifozëve në stadiumin “Aviva”. Ekipi i Heimir Hallgrimsson pritet të luajë me intensitet të lartë, të ushtrojë presion dhe të kërkojë vendime më të shpejta në fazën ofensive, pasi vetëm fitorja i mban gjallë objektivat në këtë grup.
Një prej armëve kryesore të irlandezëve është Troy Parrott. Sulmuesi ka realizuar katër gola në këtë edicion të Ligës së Kombeve dhe është lojtari që përfaqëson rrezikun më të madh në repartin sulmues të vendasve.

Përveç tij, Irlanda ka në dispozicion edhe lojtarë fizikisht të fuqishëm, të cilët mund të krijojnë probleme përmes dueleve dhe lojës direkte. Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme nëse arrijnë ta vendosin Kosovën nën presion dhe të fitojnë topa në zonën e saj.
Megjithatë, irlandezët do të jenë pa kapitenin Nathan Collins, i cili është përjashtuar për shkak të lëndimit. Mungesa e tij në mbrojtje mund të ndikojë në mënyrën se si do ta përballojnë Vedat Muriqin.

Pikat e forta të Kosovës
Në anën tjetër, Kosova ka dëshmuar se është një përfaqësuese e organizuar dhe e vështirë për t'u mposhtur. Fitorja 1-0 në ndeshjen e parë ndaj Irlandës në Prishtinë, e vendosur nga Vedat Muriqi, është dëshmia më e mirë se “Dardanët” dinë ta menaxhojnë këtë përballje.
Një prej armëve kryesore të ekipit të Franco Fodës është organizimi taktik. Kosova ndërton aksionet me pasime dhe kërkon hapësira përmes lëvizjeve të lojtarëve pa top, ndërsa në fazën mbrojtëse rikthehet shpejt dhe mundohet t'ia mbyllë kundërshtarit korridoret e depërtimit.

Edhe statistikat e këtij edicioni flasin për stabilitetin mbrojtës të Kosovës. Në pesë ndeshje, përfaqësuesja jonë ka pranuar vetëm katër gola dhe ka regjistruar tri ndeshje pa pësuar gol.
Në sulm, Muriqi mbetet pika kryesore e referimit. Kapiteni dhe golashënuesi më i mirë në histori të Kosovës paraqet rrezik në lojën ajrore, në duelet fizike dhe në mbajtjen e topit, duke u krijuar hapësira edhe bashkëlojtarëve që vijnë nga linjat e dyta.
Megjithatë, Foda do të ketë disa mungesa të rëndësishme. Edon Zhegrova, Lumbardh Dellova dhe Albian Hajdari nuk janë në dispozicion, ndërsa Veldin Hodza mungon për shkak të suspendimit. Këto mungesa mund ta detyrojnë përzgjedhësin të bëjë ndryshime në disa reparte.

Një ndeshje, dy objektiva të ndryshëm
Irlanda duhet të sulmojë dhe të kërkojë fitoren, ndërsa Kosova mund ta menaxhojë ndeshjen me më shumë kujdes, pa hequr dorë nga synimi për të fituar.
Në përballjen e parë në Prishtinë, “Dardanët” triumfuan 1-0. Sonte, në Dublin, Irlanda kërkon revanshin, ndërsa Kosova synon ta konfirmojë vendin e dytë dhe ta vazhdojë rrugëtimin drejt Ligës A. /Telegrafi/


































