Wayne Rooney ka folur për një nga kapitujt më të errët të jetës së tij, duke zbuluar se, ndërsa luante për Manchester Unitedin, përballej me probleme serioze të shëndetit mendor dhe kishte menduar t’i jepte fund jetës.
Ish-kapiteni i Anglisë dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Manchester Unitedit e ndau këtë rrëfim në podcastin “Life At The Midpoint”, të drejtuar nga Gabby Logan.
Të lidhura
None found
Në atë periudhë, Rooney ishte sapo martuar dhe ishte bërë baba për herë të parë me djalin e tij, Kai. Megjithatë, ndërsa karriera e tij sportive po përjetonte sukses të madh, gjendja e tij jashtë fushës ishte krejt e kundërt.
Ai tregoi se kalonte deri në dy ditë duke pirë alkool në shtëpi dhe përpiqej të qëndronte i fshehur, që djali i tij të mos e shihte në atë gjendje.
Rooney shmangte ambientet publike dhe rrëfeu se ndihente siguri vetëm kur ndodhej në fushën e futbollit.
“Sot, kur e analizoj atë periudhë, mund të them se u solla në mënyrë egoiste, por e kuptoja se po përballesha me diçka që nuk po arrija ta menaxhoja. Nuk doja që Kai të më shihte ashtu, ndaj përpiqesha të fshihesha”, tha Rooney.
Më tej, ish-sulmuesi i Anglisë zbuloi se gjendja e tij kishte arritur deri në mendime për vetëvrasje.
“Erdha në një pikë ku mendova për vetëvrasje. Nuk doje të ishe pranë askujt. Nuk dëshiroja të shihja njerëz në rrugë apo të hyja në dyqane. Në fushën e futbollit ndihesha gjithmonë mirë, ndërsa çdo gjë tjetër më dukej jashtëzakonisht e vështirë”, deklaroi ai.
Rooney pranoi se për një kohë të gjatë nuk kishte mundur ta pranonte realisht problemin, pasi kishte frikë se të tjerët do ta shihnin si të dobët.
“Nuk dëshiron të tregosh dobësi dhe tenton ta mbash të fshehtë atë që po përjeton. Edhe kur e kupton se në çfarë gjendjeje ndodhesh, pranimi është i vështirë, sepse të krijohet përshtypja se je më pak burrë kur po kalon përvoja të tilla”, u shpreh ai.
Futbollisti anglez tha se më pas iu drejtua një terapisti, me synimin për të kuptuar më mirë situatën në të cilën ndodhej.
“Kur e shoh sot, mendoj se ndoshta isha në kulmin e karrierës. Sapo isha martuar dhe isha bërë baba. Duhej të ishte momenti më i lumtur i jetës sime, por nuk ishte aspak kështu. Përkundrazi, mund të ketë qenë periudha ime më e vështirë, për shkak të veprimeve egoiste që po ndërmerrja”, përfundoi Rooney.








