Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka prezantuar në ambientet e Ambasadës traditën “Payday Activities”, një praktikë e trashëguar nga ushtria amerikane, që synon të forcojë frymën e bashkëpunimit dhe vlerësimit mes anëtarëve të një ekipi.
Përmes një mesazhi, Wendt theksoi rëndësinë e traditave që krijojnë lidhje mes njerëzve, duke kujtuar se ky parim ka qenë pjesë e historisë amerikane që nga Lufta për Pavarësi.
“Prej Luftës Amerikane për Pavarësi e deri më sot, traditat më të mira janë ato që i bashkojnë njerëzit”, u shpreh ambasadori.
Ai bëri të ditur se aktiviteti në Ambasadë shërbeu për të mirëpritur kolegët e rinj, për të nderuar ata që po largohen dhe për të vlerësuar punonjësit që kanë dhënë më shumë se sa u kërkohet në detyrën e tyre.
“Duke u mbledhur si një ekip në Ambasadë, u uruam mirëseardhjen kolegëve të rinj, nderuam ata që po largohen dhe vlerësuam anëtarët e ekipit që kanë bërë edhe më shumë seç u kërkonte detyra”, deklaroi Wendt.
Në përfundim, ambasadori vlerësoi punën e përbashkët të stafit, duke theksuar se çdo ditë ky ekip kontribuon për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Çdo ditë, ky grup i jashtëzakonshëm punon së bashku për t’i bërë Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë më të forta, më të begata dhe më të sigurta”, u shpreh ai.

