Plarent Ndreca: Rama më akuzon se po shtyj Veliajn kundër tij
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka folur sërish për përplasjet e pretenduara në prapaskenë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, duke zbuluar se, sipas tij, kreu i qeverisë është i pakënaqur me rolin që ai ka marrë në mbrojtjen ligjore të Veliajt.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Ndreca u ndal te takimi i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me kryebashkiakun në ambientet e paraburgimit. Avokati përsëriti pretendimet se gjatë kësaj vizite Veliajt i është ushtruar presion për çështje që lidhen me mandatin e tij, ndryshimin e përfaqësuesit ligjor dhe ecurinë e procesit penal.
Për këtë arsye, Ndreca kërkoi që rasti të bëhet objekt i një hetimi institucional, me qëllim sqarimin e plotë të asaj që është diskutuar gjatë takimit. Ai bëri të ditur se Veliaj ka dokumentuar me shkrim përmbajtjen e bisedës.
“Rama mendon se po nxis Veliajn të shkëputet prej tij”
Një tjetër çështje e ngritur nga avokati ishte pakënaqësia që, sipas tij, Edi Rama ka shprehur për qëndrimin dhe ndikimin e tij në raportet mes kryeministrit dhe kryebashkiakut.
Ndreca pretendoi se kreu i qeverisë e konsideron atë si personin që po nxit Veliajn të distancohet politikisht prej tij. Avokati u përgjigj se komunikimi me klientin është pjesë e marrëdhënies profesionale dhe nuk ka detyrim të japë llogari për përmbajtjen e bisedave të tyre.
“Ajo që di unë është pakënaqësia e Ramës për qëndrimin tim, ku sipas tij unë e nxis Veliajn që të pavarësohet nga Rama. E para, nuk kam pse jap shpjegime për atë që diskutoj me klientin tim.
Kjo është e pavarur nga bindjet e mia politike apo pozicioni im politik dhe nuk ka asnjë arsye, pavarësisht nëse e kam bërë apo nuk e kam bërë. Të vërtetën e dimë unë, klienti im dhe kolegët e mi britanikë dhe amerikanë”, deklaroi Ndreca.
Ndreca: Veliaj vendos vetë, nuk ka nevojë të pyesë askënd
Avokati u ndal edhe te pretendimi se Rama ka synuar ta largojë atë nga pozicioni i këshilltarit ligjor të Veliajt. Sipas Ndrecës, nuk ka dijeni për ndonjë qëllim tjetër të kryeministrit përtej kësaj pakënaqësie, ndërsa hodhi poshtë idenë se klienti i tij mund të ndikohet nga të tjerët në marrjen e vendimeve.
“Synimet e zotit Rama për të më larguar mua si këshilltar ligjor i Veliajt, përveç kësaj që më është thënë, nuk di tjetër.
Por nuk është e vërtetë, sepse Veliaj ka gjithë kapacitetin të marrë vendime vetë dhe të mos pyesë askënd. Ai merr vendimet dhe është i qartë për atë që bën”, u shpreh avokati.
Në thelb të deklaratave të tij, Ndreca kundërshtoi çdo pretendim se po ndërhyn në qëndrimet politike të kryebashkiakut, duke theksuar se raporti dhe komunikimi me Veliajn lidhen me ushtrimin e detyrës së tij si mbrojtës ligjor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



