Aktorja dhe regjisorja amerikane Olivia Wilde ka folur hapur për periudhën më të vështirë të jetës së saj personale dhe profesionale, duke rikthyer në vëmendje ndarjen nga Jason Sudeikis dhe polemikat që shoqëruan filmin “Don't Worry Darling” në vitin 2022.
Në një intervistë për 'The New York Times', Wilde tregoi se vëmendja e mediave ndaj jetës së saj private e kishte vendosur në qendër të një historie që, sipas saj, ishte larg realitetit.
“Publiku kishte nevojë për një personazh negativ dhe unë u vendosa në atë rol.”- tha Wilde.
Gjatë promovimit të filmit, thashethemet për marrëdhëniet personale dhe polemikat rreth produksionit morën më shumë vëmendje sesa vetë filmi. Megjithatë, aktorja shprehet se sot nuk ndjen më zemërim për mënyrën se si u trajtua nga mediat.
Por ajo që e lëndoi më shumë, sipas saj, ishte ndarja nga Sudeikis, me të cilin ka dy fëmijë. Wilde pranoi se përfundimi i marrëdhënies ishte një tronditje e madhe emocionale, ndërsa në të njëjtën kohë duhej të përballonte edhe përgjegjësitë e një projekti të rëndësishëm filmik gjatë pandemisë.
“Ndarja ishte pjesa më e dhimbshme e asaj periudhe.”- u shpreh ajo.
Sa i përket bashkëprindërimit, Wilde tha se ajo dhe ish-partneri kanë arritur të ndërtojnë një ekuilibër për rritjen e fëmijëve, megjithëse pranoi se kjo nuk është gjithmonë e lehtë.
Sot, aktorja duket se ka lënë pas një pjesë të kësaj historie dhe vijon angazhimet në kinema me projektin e saj më të fundit, “The Invite”.






Komente
Komento