Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Becchettit, mbetet në fuqi dënimi me 12 vite burg për biznesmenin italian Shqyrtimi i aktit normativ për dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave u shoqërua me përplasje politike mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ekonomisë.
Ndërsa përfaqësuesit e qeverisë e argumentuan ndërhyrjen me urgjencën për t’u ardhur në ndihmë bizneseve të vogla, deputetët u përplasën për përgjegjësinë mbi dëmet, jo vetëm ato ndaj subjekteve private, por edhe ndaj institucioneve publike dhe vetë protestuesve.
“Ta kalojmë këtë akt normativ është emergjente t’i vijmë në ndihmë bizneseve”, u shpreh Milva Ekonomi.
Por për deputetin socialist Erion Braçe, kompensimi nuk duhet të kufizohet vetëm te bizneset private. Ai kërkoi që e njëjta vëmendje t’u kushtohet edhe institucioneve publike dhe ndërmarrjeve, ndërsa kërkoi që të identifikohen personat përgjegjës.
“Po dëmi që kanë shkaktuar në institucione publike kush do ta paguajë dhe si do të kompensohen institucionet publike, përshembull ndërmarrja me rrugët, ndriçimin, mirëmbajtjen, fjala bie, dëmi që i është shkaktuar gjithë rrjetit rrugor, ndërmarrja e grumbullimit të mbetjeve dhe ai shumë i madhi dëmi i shkaktuar.
Këto biznese që kanë thënë shumë mirë, na i bënë, kanë aplikuar dhe a do të klasifikohen për dëmshpërblim? Siç përdorni fondin rezervë të Këshillit të Ministrave për sipërmarrjet, duhet ta përdorni dhe për institucionet publike.”
Mazhoranca e konsideron thelbësore ndarjen mes protestës dhe dhunës, ndërsa risjell në diskutim ngjarjet gjatë protestave të PS-së.
“Në këtë vend janë vrarë njerëz, i pushkatoi ai me urdhër nga godina përballë dhe ka që nga 2011-a, 15 vjet rresht, që s’mban përgjegjësi njeri, se këtu dhuna ngatërrohet. Nuk mund të jetë kështu. Akte kot mos sillni, por bëjini të veprojnë siç duhet. Ligjëroni parimin: dhunuesi paguan”, tha deputeti i PS, Erion Braçe.
Nga ana tjetër, opozita e cilësoi kompensimin një të drejtë legjitime, por kundërshtoi mënyrën e ndërhyrjes së qeverisë.
Igli Cara: Kërkoni që të paguajnë ata që dëmtuan. Nuk kuptoj, është gjithmonë i njëjti standard. Po kur dëmtohet buxheti i shtetit me miliarda, kush e ka kompensuar? Po në rastet kur kemi përmbytje, pse nuk u shqetësua kaq shumë qeveria dhe të dëmshpërblejë përmbytjet? E drejta e protestës është legjitime. Po në rastin e dëmtimeve shëndetësore të protestuesve nga dhuna, si këmbë të thyera, brinjë të thyera, sy të dëmtuar, pse nuk bën akt normativ?
Braçe: Ka paguar qeveria.
Cara: Jo vetëm një rast, ka shumë raste.
Braçe: Mos ndërhyni.
Cara: Ju po ndërhyni në fjalën time.
Cara: Pse nuk është i njëjti standard dhe për dëmet e përmbytjeve? Nuk flasin kolegët për miliona euro dëme, por dhe për dëmet në buxhetin e shtetit të provuara nga KLSH-ja, nuk mban njeri përgjegjësi.
Braçe: Pse s’e bëre pyetjen kur ishte ministri i Financave?
-Ti vrave njerëzit aty.
Cara: Po flas për ato që ndodhin, z. Braçe. Shqiptarët po pakësohen.
Ekonomi: Më pak se 10 vite më parë, z. Cara.
Akti normativ u miratua në Komisionin e Ekonomisë me 8 vota pro dhe 3 abstenime. Synon të mbulojë dëmet e bizneseve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, ndërsa 125 subjekte kanë paraqitur deri tani pretendime për 3.59 milionë euro.
Top Channel