Kosova e Irlanda rikthehen përballë, si shkoi dueli i parë i zhvilluar në "Fadil Vokrri"

Kosova dhe Republika e Irlandës do të përballen sërish sonte, kësaj radhe në Dublin, në ndeshjen vendimtare të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Para duelit të kthimit, vëmendja rikthehet te përballja e parë mes dy përfaqësueseve, e zhvilluar më 24 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Dardanët triumfuan me rezultat 1-0.
Përballja e parë, Kosova më kërkuese
Ndeshja e parë ishte historike, pasi Kosova dhe Irlanda u takuan për herë të parë në një përballje zyrtare. Skuadra e Franco Fodës e nisi më mirë takimin, duke marrë iniciativën dhe duke krijuar disa raste të rrezikshme në pjesën e parë.
Vedat Muriqi ishte vazhdimisht kërcënim për mbrojtjen irlandeze, por portieri Caoimhín Kelleher dhe mbrojtësit e mysafirëve arritën ta mbanin portën të paprekur.
Në minutën e 29-të, Kosova ishte shumë pranë golit. Pas një aksioni të rrezikshëm, Muriqi goditi drejt portës, por mesfushori irlandez Jayson Molumby ndërhyri në vijën e portës dhe e largoi topin.
Pak minuta më vonë, Dara O’Shea bëri një tjetër intervenim vendimtar për ta ndalur Veldin Hoxhën. Kelleher gjithashtu shkëlqeu në pjesën e parë, duke pritur një goditje të fuqishme me kokë të Muriqit.

Edhe Irlanda pati rastet e saj, por Muriqi vendosi ndeshjen
Irlanda pati edhe ajo mundësitë e veta. Në minutën e 22-të, Chiedozie Ogbene shpërdoroi një rast të mirë pas një pasimi nga James Abankwah, ndërsa në fillim të pjesës së dytë një goditje me kokë e Troy Parrott u ndal nga Arijanet Muriq.
Megjithatë, Kosova vazhdoi të ishte më kërkuese dhe të krijonte më shumë rrezik në portën kundërshtare.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 83-të. Pas një aksioni nga krahu, Ermal Krasniqi goditi fuqishëm, por topi u përplas në traversë.
Në vendin e duhur ishte kapiteni Vedat Muriqi, i cili reagoi më shpejt se mbrojtësit dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë. Goli u kontrollua nga VAR-i dhe më pas u konfirmua, duke i dhuruar Kosovës fitoren e parë ndaj Irlandës.
- YouTube www.youtube.com
Statistikat dëshmuan epërsinë e Dardanëve
Statistikat e asaj ndeshjeje pasqyruan epërsinë e Dardanëve. Kosova regjistroi 22 goditje drejt portës, tetë prej tyre në kuadrat, ndërsa Irlanda pati vetëm tri tentime gjatë gjithë takimit.
Ekipi ynë pati edhe më shumë posedim të topit, 57 për qind kundrejt 43 për qind të mysafirëve.
Kosova vjen në këtë ndeshje me 6 pikë, me 1 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje. Irlanda ka një pikë më pak.
Tashmë gjithçka vendoset në Dublin
Tashmë, dy skuadrat takohen në Dublin me objektiva të qarta. Kosova ka një pikë më shumë se Irlanda dhe i mjafton barazimi për ta siguruar vendin e dytë në grup dhe pjesëmarrjen në play-offit për promovim në Ligën A.
Irlanda, në anën tjetër, duhet të fitojë për ta kaluar Kosovën në renditje.
Pra, ndryshe nga ndeshja e parë, këtë herë presioni është te vendasit, ndërsa Dardanët synojnë ta përsërisin paraqitjen e Prishtinës dhe të sigurojnë objektivin e tyre. /Telegrafi/












































