Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e biznesmenit italian Francesco Becchetti, duke lënë përfundimisht në fuqi dënimin me 12 vite burg ndaj tij. Me vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr. 2112 (30-2025-7758), datë 30 shtator 2025, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Biznesmeni u dënua përfundimisht me vendim të formës së prerë me 12 vite burg nga Apeli me Juridiksion të Përgjithshëm. Gjykata aplikoi nenin 55, i cili parashikon bashkimin e dënimeve, pasi Gjykata e Tiranës në 2022 kishte dhënë 17 vite burg për Becchettin, i akuzuar për kryerjen e katër veprave penale. Masa e dënimit u lehtësua gjithashtu për bashkëpunëtorin Mauro de Renzis, për të cilin Apeli vendosi dënimin me 12 vite burg, nga 16 vite që ishte vendosur nga shkalla e parë. Për pjesën tjetër të grupit, dënimet nuk u ndryshuan.
Francesco Becchetti është shpallur në kërkim nga shteti shqiptar në vitin 2015, për veprat penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “krijim i skemave mashtruese”, “pastrim parash” dhe “falsifikim”. Akuzat ndaj tij u bënë publike fillimisht në 2015, vit kur u lëshua urdhër-arrest dhe prokuroria e Tiranës vendosi masën e sekuestros për pronat e tij.
Shqipëria i pati dhënë atij një koncesion për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç në fund të viteve 1990. Ndër pronat e sekuestrora që përmenden nga prokuroria ishte dhe televizioni “Agon Channel”.
