Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare (NSA) po përballet me probleme teknike, pasi rrjeti i saj i brendshëm, i përdorur për shkëmbimin e informacioneve tepër sekrete, ka dalë jashtë funksionit. Sipas CNN, që citon gjashtë burime të njohura me situatën, ndërprerja ka prekur rrjetin e njohur si “NSA Net”, përmes të cilit punonjësit e agjencisë komunikojnë dhe shkëmbejnë të dhëna të klasifikuara.
Shkaqet e defektit mbeten ende të paqarta, ndërsa deri tani nuk ka prova që ndërprerja të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik. Për të menaxhuar situatën, drejtuesit e agjencisë kanë vendosur një organizim të përkohshëm të punës, duke u kërkuar punonjësve të paraqiten në orare të ndryshme, ndërkohë që po vlerësohet shkalla e problemit.
Incidenti vjen në një periudhë kur Shtetet e Bashkuara janë përballur me një sërë ndërprerjesh të rëndësishme teknologjike. Vetëm një ditë më parë, sistemet online të bankave amerikane regjistruan probleme të shumta. Më herët, një ndërprerje disaorëshe e shërbimeve të Microsoft ndikoi në funksionimin e platformave Outlook, Teams dhe Copilot.
Probleme u shënuan edhe në sektorin e aviacionit gjatë fundjavës, kur trafiku ajror u ndërpre për të paktën pesë orë dhe u raportuan mbi 6 mijë fluturime të anuluara. Autoritetet përjashtuan mundësinë e një sulmi kibernetik në këtë rast. Megjithëse këto incidente kanë ndodhur brenda një periudhe të shkurtër, deri më tani nuk ka të dhëna që të provojnë një lidhje mes tyre.
