Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj nuk do të ndikojë në rezultatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Kështu u shpreh deputeti socialist Ardit Bido, i ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, duke argumentuar se qytetarët votojnë ofertat politike dhe jo përplasjet personale mes drejtuesve. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën 'prej telenovele' se si këto përplasje trajtohen në debatin publik
“Jo, jo, jo. Në fund të ditës, qytetarët, përtej telenovelës që është sensacionale gjithmonë për opinionin publik, për bashkëbisedimin ditor në kafene, nuk votojnë këto telenovela, votojnë alternativat dhe ofertat politike. Unë jam i bindur që në këtë proces që ka nisur nga Asambleja, kandidatura e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës do të jetë fytyra më e mirë për një projekt politik. Është projekti politik ai i cili votohet. Janë alternativat politike. Patjetër ndikon individi, sepse individi e përfaqëson dhe do ta zbatojë atë ofertë politike, por janë ofertat politike të përfaqësuara nga individë të cilat votohen. Nuk besoj se do të ndikojë çfarëdolloj përplasjeje, çfarëdolloj telenovele në zgjedhjet e ardhshme”, tha Bido.
Deputeti socialist foli edhe për garën për Bashkinë e Tiranës, ku Ervin Demo dhe Albana Koçiu janë sipas tij, dyshja e duhur për të rikthyer frymën në strukturat socialiste të Tiranës që kanë kaluar një periudhë amullie pas arrestimit të Veliajt.
Për Ervin Demon, Bido tha se është një administrator i zoti, që ka dhënë rezultate në drejtimin e Bashkisë së Beratit, ndërsa Albana Koçiun e cilësoi një figurë reformuese të administratës shtetërore.
“Janë një dyshe e cila besoj se, si bashkëkryetarë të komanduar të Partisë Socialiste, do të mundet të ringrenë një frymë e cila, për arsye objektive, mungon sot në strukturat e Partisë Socialiste të Tiranës. Arrestimi i kryetarit të bashkisë, njëherazi kryetar i partisë, dhe pamundësia e drejtimit të këtyre strukturave për dy vjet, patjetër ka krijuar një amulli. Besoj se janë dyshja më e mirë për të ringritur strukturat e Partisë Socialiste në Tiranë”, deklaroi Bido.

Deputeti socialist Ardit Bido kritikoi sot në Report TV mënyrën se si opozita zhvillon betejën e saj në Kuvend, duke akuzuar demokratët se e kanë kthyer Parlamentin në cirk me hedhjen e ujit dhe molotovëve. I ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, Bido tha se kjo nuk është mënyra për të bërë opozitë, ndërsa veçoi Flamur Nokën si përfaqësues të këtij modeli të përplasjes politike.
Gjatë debatit në studio, Bido u përball me kritikat se mazhoranca socialiste, falë numrave në Parlament, miraton ligje pa marrë parasysh qëndrimet e opozitës dhe se kryeministri Edi Rama shmang interpelancat.
Deputeti socialist kundërshtoi këto akuza, duke argumentuar se opozita ka mundësi të shprehë qëndrimet e saj, por zgjedh përplasjet në vend të debatit parlamentar.
“Ti quan opozitë opozitën alla Flamur Noka? Ka shumë kolegë të Partisë Demokratike që unë i dëgjoj me ëndje kur jam në Parlament dhe që në disa gjëra bie dakord. Flasim për atë lloj opozite me ujë dhe molotovë, që nuk ndodh në asnjë vend të botës. Nuk është opozitë, nuk është debat publik, nuk është jetë parlamentare”, u shpreh Bido.
Bido u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke theksuar se mazhoranca po miraton me ritme të përshpejtuara ligjet që kërkohen për përfundimin e negociatave me Bashkimin Europian në vitin 2027.
Sipas tij, opozita duhet ta dëshmojë mbështetjen për integrimin përmes votimit të këtyre ligjeve dhe jo vetëm përmes deklaratave publike.
“Opozita ka mundësinë ta shprehë këtë përmes aktit politik që është votimi i ligjeve të cilat kanë të bëjnë me integrimin europian, që fatkeqësisht nuk e kemi parë. Kemi parë, në të kundërt, që ka zhvilluar opozitën e ujit dhe të molotovit, e cila është e papranueshme”, deklaroi deputeti socialist.
Ai shtoi se opozita duhet të shfrytëzojë të drejtën e fjalës dhe të bindë qytetarët se përfaqëson një alternativë më të mirë qeverisëse, në vend që të përqendrohet te incidentet në Kuvend.
“Një opozitë e cila nuk e shfrytëzon të drejtën e fjalës, kërkon interpelanca dhe nuk i zhvillon sepse e kanë mendjen të hedhin molotovët dhe ujin në Parlament, atëherë merr përgjigjen në zgjedhje, që nuk fiton dot”, përfundoi Bido.









Komente
Komento