Vërtopi: Nëse Apeli e refuzon ankesën, mbrojtja e Thaçit mund t'i drejtohet Kushtetueses
Avokati Florin Vërtopi e ka cilësuar të pritshëm aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili u dënua me 17 muaj burgim për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Pas shpalljes së aktgjykimit, Vërtopi ka ngritur shqetësime lidhur me pranimin e audioincizimeve dhe transkripteve si prova, duke pretenduar se ato cenojnë privatësinë.
Ai, i ftuar në "FIVE" në Dukagjin, gjithashtu ka vënë në pikëpyetje zbatimin e Kodit Penal të vitit 2019, duke thënë se sipas nenit 15 të Ligjit për Dhomat e Specializuara, për veprat e tjera në Republikën e Kosovës duhej të zbatohej Kodi Penal i vitit 2012.
“Tek Ligji për themelimin e Dhomave të Specializuara e keni dispozitën në nenin 15, ku thuhet se për veprat tjera në Republikën e Kosovës aplikohet Kodi Penal i vitit 2012, ndërsa në aktakuzën e ngritur, si dhe në vendimin e sotëm gjyqësor, komplet është implementuar Kodi Penal i vitit 2019. Këtë e di edhe prokurori edhe gjykata se pse është vepruar në këtë mënyrë – Kodi Penal i Republikës së Kosovës i vitit 2012 është më i favorshëm, por nuk është përdorur”, ka deklaruar Vërtopi.
Ai ka shtuar se mbrojtja kishte ngritur disa çështje gjatë procedurës, përfshirë cenimin e privatësisë përmes audioincizimeve dhe transkripteve, por gjykata nuk i kishte përjashtuar ato si prova.
Vërtopi ka folur edhe për mundësitë e mëtejshme juridike në rast se Gjykata e Apelit e refuzon ankesën e mbrojtjes.
“Nëse Gjykata e Apelit e refuzon ankesën e avokatëve mbrojtës mbi këtë bazë, të njëjtën mund ta ngrisin në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese, pasi çështja e privatësisë është kruciale dhe ka vend të drejtohet në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Kushtetuese, pasi bëhet fjalë për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.
https://www.youtube.com/watch?v=ZZI-PflzPHA















