82 vite nga çlirimi i Tiranës/ Veteranë dhe qytetarë përkujtojnë betejën 19-ditore, homazhe për dëshmorët e luftës

17/11/2026 17:26

82 vite më parë Tirana u çlirua nga pushtimi gjerman, pas një beteje të ashpër që zgjati 19 ditë dhe u zhvillua në rrugë, lagje, ndërtesa dhe në zonat përreth qytetit.

Në mëngjesin e 17 nëntorit 1944, forcat gjermane u tërhoqën nga Tirana dhe kryeqyteti nisi t’i rikthehej normalitetit pas gati pesë vitesh pushtimi të huaj.

Naxhi Zhupa ishte vetëm 14 vjeç kur iu bashkua forcave antifashiste për çlirimin e Tiranës, në një nga betejat më të rëndësishme për çlirimin e vendit

“Shumë gjëra më kanë mbetur të ngulitura si dalta në gur! Mbaj mend që nga kryeministria e sotme nderi te Ministria e Brendshme ishte një gjendje lufte. Dy të vrarë i pashë përpara Hotel Dajtit dhe dy të tjerë më poshtë, që kishin qenë në pajton. Pastaj, kur vije nga Ministria e Brendshme dhe këtej, Tirana ndryshonte si nata me ditën. I gjithë populli po pastronte vendin. Më ka bërë përshtypje që populli i Tiranës nuk preku asgjë. U hoqën barrikadat, kishte filluar hapja e dyqaneve, po niste normaliteti”, tha Naxhi Zhupa, partizan në Luftën e Dytë Botërore.

Veterani 97-vjeçar i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që mbeti i plagosur në luftë, sot kujton dhe nderon kolegët që dhanë jetën për lirinë e atdheut.

“Unë isha pjesë e grupit të sulmit. Na goditën me artileri, na zuri poshtë”, u shpreh Naxhi Zhupa, veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. .

Drejtues të Bashkisë dhe Qarkut Tiranë, deputetë, përfaqësues të shoqatave të veteranëve, familjarë të dëshmorëve sakrificën e dëshmorëve.

“Përulemi me respektin më të thellë për të gjithë ata që dhanë jetën që Shqipëria të ishte e lirë nga pushtuesit nazi-fashistë. Ata që ranë për liri nuk kërkuan lavdi, as privilegje, ata dhanë jetën për një ideal më të madh se vetja, lirinë e atdheut”, tha Shkëlqim Hajdari, Prefekti i Tiranës. .

“Është detyra jonë, por edhe e të gjithë brezave që do të vijnë, të nderojmë veprën e atyre që zgjodhën të vdisnin në këmbë për një popull, që ky popull të mos ishte i gjunjëzuar”, deklaroi Sadi Vorpsi, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës. .

Ndonëse atmosfera festive mungonte sot në rrugët e qytetit, festimet u zhvendosën pranë Parkut Rinia, ku qytetarët kujtuan përmes fotove të ekspozuara nga Drejtoria e Arkivave Tiranës e gati një shekulli më parë, ndërsa më të vegjël shijuan një program këngë dhe valle tradicionale tiranase.

Top Channel