Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria dhe Kosova janë të interesuara për përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë, e cila parashikohet të vijojë drejt Nishit dhe të lidhet me Europën Qendrore.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka ndarë detaje nga takimi me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze, ku ka prezantuar rëndësinë e këtij projekti dhe mundësinë e bashkëpunimit me investitorët japonezë.

Kreu i qeverisë u shpreh se këtë ide e ka diskutuar disa herë edhe me kryeministrin e Kosovës, duke theksuar se përfshirja e Japonisë do të ishte e mirëpritur nga të dyja vendet.

Rama nënvizoi gjithashtu rëndësinë strategjike të hekurudhës për NATO-n, në funksion të Portit të ri të Durrësit, i cili sipas tij do të ketë edhe një degë të dedikuar tërësisht për veprimtaritë ushtarake dhe ato të Aleancës.

Kryeministri u bëri thirrje përfaqësuesve japonezë që ta shqyrtojnë projektin dhe të japin vlerësimin e tyre, duke shprehur gatishmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar me Japoninë ose me partnerë të tjerë japonezë për realizimin e tij.

Edi Rama: Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore.

Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s.

Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj.

Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb