Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të mbulojë skandalet e tenderave dhe abuzimet me fondet publike përmes propagandës dhe sistemit të ri të prokurimeve, Diella.

Muçollari thekson se fondet e rrugëve dhe të AKSHI-t janë në qendër të hetimeve për korrupsion dhe vepra të rënda penale.

Ndërsa, shton se Rama nuk mund t’u shmanget përgjegjësive politike, pasi sipas tij ka mbrojtur publikisht këtë model qeverisjeje.

Reagimi i plotë:

Bëri çfarë deshi me buxhetin me Lindën e Belindën, tani na fton t’i besojmë Diellës

Edi Rama vazhdon të shpresojë se propaganda do ta shpëtojë nga pozicioni i vështirë ku ndodhet përballë një publiku gjithnjë e më të revoltuar.

Ai flet për modernizimin e prokurimeve dhe paraqet grafikë, ndërkohë që skandalet e tenderave dhe dyshimet për shpërndarjen e fondeve publike mes miqsh e klientësh kanë nxjerrë në dritë një realitet krejt tjetër: arka me para, pasuri të pajustifikuara dhe vila luksoze në bregdet.

Fondet e rrugëve dhe të AKSHI-t janë sot në qendër të hetimeve për vepra të rënda penale, nga korrupsioni dhe fshehja e pasurisë deri te dyshimet për grup të strukturuar kriminal.

Në këto afera, Rama nuk mund t’u shmanget përgjegjësive politike. Ai ka pranuar publikisht se ka dhënë porosi lidhur me kompani fituese të kontratave publike.

Ai e ka mbrojtur deri në fund këtë model qeverisjeje, me qëndrime publike dhe me vota në Kuvend. Asnjëherë nuk ka shprehur një qëndrim kritik dhe as është distancuar prej tij. E gjithë kjo ka ndodhur në sytë e publikut.

Dhe tani, papritur, na fton t’i besojmë një sistemi të ri prokurimi.

Deri dje bëri çfarë deshi me buxhetin, me Lindën e Belindën. Sot kërkon të na bindë me Diellën.

Propaganda nuk mund të zëvendësojë llogaridhënien. Aq më pak mund të rikthejë besimin te një kryeministër që, pas gjithë këtyre skandaleve, kërkon të shesë si zgjidhje teknologjike atë që në thelb është krizë e qeverisjes dhe e përgjegjësisë politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb