Hekurudha Durrës-Prishtinë, Rama: Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik
Kryeministri Edi Rama ka pritur ditën e sotme një përfaqësi të sipërmarrjes japoneze, të cilët do të jenë të përfshirë në projektin strategjik hekurudhor Durrës-Prishtinë.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, kryeministri Rama thekson se ka diskutuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për përfshirjen e sipërmarrësve japonezë në këtë projekt të madh.
Sipas tij, ky projekt ka rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n, për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s.
Postimi i Ramës:
👉 Sot në Kryeministri me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze🇦🇱🤝🇯🇵
Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë 🇦🇱🇽🇰🇯🇵
Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore.
Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s.
Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj.
Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt.




