Këshilltarja bashkiake e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, i ka kërkuar Bashkisë të ndalojë ekspozimin e simboleve komuniste dhe nderimin publik të diktatorit Enver Hoxha dhe figurave përgjegjëse për krimet e regjimit komunist në hapësirat publike të kryeqytetit.
Në një kërkesë drejtuar kryetares së Bashkisë Tiranë, Zhulali thekson se më 17 nëntor, në qendër të kryeqytetit, janë ekspozuar simbole të regjimit komunist, banera me mbishkrime lavdëruese për Enver Hoxhën dhe portrete të drejtuesve të regjimit.
Sipas këshilltares demokrate, këto figura mbajnë përgjegjësi për ekzekutime, burgosje, internime dhe dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë.
“Lartësimi publik i diktatorit dhe i bashkëpunëtorëve të tij fyen rëndë kujtimin e këtyre viktimave dhe dinjitetin e familjeve të tyre”, thekson Zhulali në kërkesën e saj.
Ajo përmend bilancin e viktimave të diktaturës komuniste, duke përmendur 6.027 të ekzekutuar, 34.135 të burgosur politikë, mbi 59 mijë të internuar, 7.022 të vdekur në internim, 984 të vdekur në burgje dhe rreth 6 mijë persona të zhdukur, eshtrat e të cilëve ende nuk janë gjetur.
Në propozimin e saj kërkohet gjithashtu vendosja e gjobave për shkelësit, angazhimi i Policisë Bashkiake për heqjen e menjëhershme të materialeve dhe ndalimi i dhënies së lejeve për veprimtari të kësaj natyre në hapësirat publike të administruara nga Bashkia Tiranë.r.p



