Kryetari i degës së PD-së Berat, Kasion Hasimetaj tha se Shqipërisë po i merret fryma nga autokracia ndërsa kryeministri Rama ka instaluar regjimin e narkos.
Në ‘foltoren e ripërtëritjes’ organizuar sot pasdite në Berat, Hasimataj u ndal tek protestat të cilat kanë nxjerrë lakuriq si asnjëherë tjetër regjimin autokratik të Edi Ramës, korrupsionin e tij, arrogancën e tij, aferat e tij dhe të qeverisjes së tij, grabitjen e zgjedhjeve dhe grabitjen e Shqipërisë.
Ai u shpreh besimplotë se PD është e vetmja forcë që mund të realizojë ndryshimin.
Pjesë nga fjala e Kasion Hasimetajt
“Revolta e madhe e rinisë dhe studentëve i tregoi mbarë opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar se në çfarë lloj regjimi jetojnë shqiptarët sot. Ngjarjet e muajve të fundit, veçanërisht javëve të fundit, kanë nxjerrë lakuriq si asnjëherë tjetër regjimin autokratik të Edi Ramës, korrupsionin e tij, arrogancën e tij, aferat e tij dhe të qeverisjes së tij, grabitjen e zgjedhjeve dhe grabitjen e Shqipërisë.
Ngjarjet e fundit kanë faktuar se Shqipëria qeveriset sot nga e vetmja narko-qeveri në Europë. Po, kjo është e vërteta. Në Shqipëri është instaluar regjimi i narkos. Shqipëria punon me narko-eurot, qeveria i mbron ato. Qeveria ka qenë dhe është në shtrat me krimin e organizuar që pronon vendin dhe ekonominë tonë.
Qarku i Beratit është plot me njerëz punëtorë, të ndershëm dhe që duan të punojnë me ndershmëri dhe të jetojnë ndershmërisht në qytetin e tyre.
Ne jemi një qark me ekonomi bujqësore, me shumë fermerë, të harruar thuajse plotësisht këto 13 vitet e fundit të qeverisjes së Partisë Socialiste.
Shumica absolute e ullinjve tanë, e serave, e infrastrukturës rrugore rurale është ajo çfarë ka bërë qeverisja e Partisë Demokratike.
Më tej, investimet nga 2013-a janë me pikatore, për të mos thënë zero. Shumë të rinj e kanë braktisur fshatin tërësisht, madje edhe qytetin. Mundësi për të punuar nuk ka. Të rinjtë po zgjedhin emigracionin siç bën çdo shqiptar sot. E sikur të mos mjaftonte kjo, sapo goditën dhe bashkitë e qarkut tonë.
Autokrati Rama, që nuk di se ç'bëjnë qeveritarët e tij duke ngrënë fiq e kastravec pas kurrizit të tij, por me përpikmëri di si voton njëri e tjetri deputet me shantazhin e tij, bëri që të kalonte këtë reformë vrastare me forcën e kartonave, që ia tund para syve popullit sa herë ndihet ngushtë.
Nga kjo reformë u prek dhe qarku ynë, si asnjë qark tjetër në Shqipëri, me dy bashki, Poliçanin dhe Dimalin.
Pavarësisht se të gjithë këshilltarët e majtë dhe të djathtë në këto bashki votuan kundër shkrirjes, ai e bëri fakt të kryer, i shkriu këto dy bashki. Kjo është kundër interesave të çdo qytetari të Bashkisë Dimal dhe Poliçan, pavarësisht bindjeve të tyre politike, i PS-së apo i PD-së qoftë. Pa parti, pak rëndësi ka.
Na servirën për bashki model Bashkinë e Beratit. Por ju them se numri i të punësuarve në këtë bashki është pothuajse dy herë më shumë sesa bashkia jonë ka nevojë.
Sepse janë të punësuar patronazhistët që marrin rrogën pa vajtur fare në punë, vetëm për të trysnuar qytetarët ose për të blerë vota gjatë fushatave zgjedhore. Ky sistem i kalbur duhet shembur. Korrupsioni dhe patronazhistët duhet të marrin përgjigjen e merituar, përgjegjësit duhet të dalin para ligjit. Ne nuk e duam më këtë lloj qeverisje, ku ekonomia nuk funksionon dhe të rinjtë e qytetit vetëm largohen. Kur merr tenderat vetëm po të jesh mik e shok i partisë në pushtet, se për bizneset e ndershme as që bëhet fjalë. Kur po të jesh kundërshtar me qeverinë dhe qeverisjen, të mbin inspektori te dera e biznesit, por po të jesh i tyre mund të mos paguash taksa fare.
Nuk mundet më të shkosh në spital të Beratit dhe spitali të të përcjellë në Tiranë, se nuk ka as mundësi dhe as mjekë për diagnozat serioze, pa le të tentosh të zgjidhësh ndonjë hall me administratën që të shikojnë vetëm nga xhepat.
Kjo situatë duhet të ndryshojë. Beratit dhe gjithë Shqipërisë po i merret fryma nga kjo autokraci.
Partia Demokratike është e vetmja forcë politike që mund ta realizojë këtë ndryshim. E ka bërë disa herë dhe do ta bëjë përsëri. Ajo ka forcën dhe potencialin njerëzor për të mundësuar kthimin e shpresës dhe ndërtimin e një të ardhmeje të begatë. Sot ne jemi mbledhur këtu për të diskutuar hapur, me sinqeritet, për problemet dhe çfarë mund të zgjidhim të gjithë së bashku, ta bëjmë sa më mirë.
© SYRI.net
VIDEO/ Bozdo: Rama e ka kthyer Shqipërinë në pronë private, opozita të bashkohet për rrëzimin e regjimit
‘Ndryshimi nis nga rinia’, Merdari: Berati po shpopullohet, asnjë mundësi punësimi
VIDEO/ ‘Ripërtëritja’, studenti: Pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje të lira, të bashkohemi për të larguar regjimin