Shqipëria dhe Kosova synojnë të përfshijnë Japoninë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë, e cila është planifikuar të vazhdojë përmes Nishit dhe të lidhet me Europën Qendrore. Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama.
Në një postim në Facebook, Rama tregoi se gjatë takimit me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze paraqiti rëndësinë e projektit dhe mundësitë për bashkëpunim me investitorët e Japonisë.
Të lidhura
None found
Kryeministri tha se këtë mundësi e ka diskutuar në disa raste me homologun e tij kosovar dhe se të dyja vendet do ta mirëprisnin përfshirjen japoneze.
Rama vuri në dukje edhe rëndësinë që hekurudha ka për NATO-n, duke e lidhur atë me Portin e ri të Durrësit. Sipas tij, porti do të ketë një degë të posaçme, tërësisht të dedikuar për veprimtarinë ushtarake dhe atë të Aleancës.
Ai u kërkoi përfaqësuesve japonezë ta shqyrtojnë projektin dhe të ndajnë vlerësimin e tyre. Shqipëria dhe Kosova, shtoi Rama, janë të gatshme të bashkëpunojnë me Japoninë ose me partnerë të tjerë japonezë për realizimin e tij.
Edi Rama: Në bisedat që kemi zhvilluar disa herë me Kryeministrin e Kosovës, kemi folur për mundësinë e përfshirjes së Japonisë në hekurudhën e re që do të lidhë Durrësin me Prishtinën, do të kalojë më pas nëpër Nish dhe do të mbërrijë në Europën Qendrore.
Hekurudha ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe edhe për NATO-n, për shkak të Portit të ri të Durrësit. Ky i fundit do të ketë një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s.
Projekti mund të përbëjë një investim mjaft interesant. Do të na interesonte shumë ta shqyrtonit dhe të dëgjonim mendimin tuaj.
Ne, së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju ose me cilindo partner japonez për të vlerësuar nëse mund ta realizojmë këtë projekt.







