Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia i ftuar këtë të martë në Euronews Albania me Thimi Samarxhiun ka folur lidhur me buxhetin e shtetit.
Ai ka deklaruar se Ministria e Brendshme përfiton një buxhet me rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2026, ku fokusi kryesor do të jetë mbështetja financiare dhe rritja e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Sipas Zëvendësministrit, rritja e pagave do të ndahet sipas kategorive, ku pjesa dërrmuese e trupës policore do të përfitojë nga rritja e pagës deri në 20 mijë lekë të reja.
“Normalisht jemi në muajin ku diskutohet buxheti. Tashmë ky buxhet ka kaluar nëpër komisionet parlamentare dhe nesër ka verdiktin final në Kuvendin e Shqipërisë. Për t’ju përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes tuaj, ashtu siç në tërësi buxheti i shtetit shqiptar edhe në Ministrinë e Brendshme, buxheti ka një rritje të jashtëzakonshme krahasim me vitin 2026.
Është një buxhet i cili fokusin kryesor do e ketë mënyrën se si do i qaset efektivave të punonjësve të policisë. Pra kemi një buxhet i cili akordohet drejtpërdrejtë për rritjen e pagave të punonjësve të policisë dhe kjo e ndarë në kategori.
Pjesa më e madhe e punonjësve të policisë e cila mbajnë gradën e inspektorit, do jetë edhe pjesa e cila do marri vlerën më të madhe në 20 mijë lekë apo 200 mijë lekë të vjetra, rritja mbi pagë, duke shtuar këtu vjetërsinë në punë apo llogaritje të tjera që bëhen në pagë.
Pra është një rritje e konsiderueshme. Në të njëjtën kohë, kjo pjesë zë një numër rreth 8174 persona, pra pjesën më të madhe. Ndërsa pjesa tjetër shkon në vlerën të gjithë trupa e policisë, pjesa tjetër shpërblehet në vlerën e 15 mijë lekë apo të 150 mijë lekë të vjetra. Rritje page, ndërhyrja juaj është e saktë”, tha ai.










