Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për bashkim, përballë asaj që e cilëson si një rrezik ekzistencial për Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij në Foltoren e PD-së në Berat, Berisha deklaroi se bashkimi është mesazhi i vetëm përballë kërcënimeve që po përzënë shqiptarët nga vendi.
Për të ilustruar rëndësinë e këtij bashkimi, ai solli në vëmendje edhe aleancën e Winston Churchill me Josif Stalinin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht se e cilësoi këtë të fundit si kriminelin më të madh të shekullit.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se droga ka marrë kontrollin në të gjitha nivelet dhe se vendi po përballet me një rrezik serioz. Berisha theksoi gjithashtu se Partia Demokratike ka një histori të lidhur me lirinë, vokacionin perëndimor dhe arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit euroatlantik.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së Sali Berisha në Berat
Ka mesazhe të tjera, ju e patë, në atë uragan mesazhi i vërtetë ishte bashkimi, kurse mesazhi i çirakëve të qeverisë dhe armiqve të PD, ishte krahasimi i PD me partinë e krimit apo ishte krahasimi i Berishës me Edi Ramën me shpresën dhe mendimin se do mund të krijonin skenarin serb.
Tani, unë nuk kam ndonjë tendencë të veçantë këtu të lavdëroj dhe të himnizoj PD-në, por përpjekjet ishin donkishoteske.
Nuk është parti që thyhet kjo, se në fakt parti për interesin e parë kombëtar që nga java e parë e themelimit gjer sot, ka paguar çdo çmim.
Një javë parti ishim ne kur deklaruam se çështja kombëtare është ylli ynë polar.
Dhe çështjen kombëtare, të gjithë ata që e kishin krijuar, e pritën me drithma këtë deklaratë të partisë njëjavore.
Në i qëndruam.
Ne kemi bërë gabime, pa diskutim, por ama historia jonë, cilitdo që nuk ka frikë ta lexojë, do gjejë se është historia e lirisë së shqiptarëve.
Historia jonë, cilitdo që nuk ka frikë ta lexojë, do të gjejë se është historia e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar.
Çfarë kanë shqiptarët evropiane të standardeve të sotme, të gjitha janë vepër e PD.
Ishte kjo parti që i nxori nga honet e varfërisë dhe mjerimit dhe i renditi në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
Që i shndërroi në qytetarët më të paguar të rajonit.
Ishte kjo parti që vendosi javën e punës si në Evropë, pesëditore.
Që zgjati lejen e lindjes një vit njëlloj si në Evropë.
Që zgjati lejet nga dy javë në një muaj.
Pra ishte kjo parti që firmosi MSA-në, që liberalizoi vizat, anëtarësoi Shqipërinë në NATO.
Dhe ishte kjo parti që kaloi një kalvar për dinjitetin dhe luftoi për dinjitetin e çdo demokrati, qëndroi e pamposhtur dhe tani të mendosh se mund ta sikterisësh është njëlloj si të besosh Shpiragun nga vendi.
Por tani unë kthehem prapë tek mesazhi.
Mesazhi është bashkimi.
Dhe në çdo rrezik ekzistencial ka vetëm një mesazh, bashkimi.
Uinston Çërçill thotë se qytetërimi mund të jetojë gjatë, se liria mund të mbrohet, se paqja mund të ruhet, me kusht vetëm bashkimin.
Me këto parime ai u bashkua me Josif Stalinin, që është pa diskutim krimineli më i madh i shekullit. Por u bashkua për të përballuar një makineri të tmerrshme lufte që po mbillte vrasje, djegie e shkatërrime në mbarë Evropën dhe ia doli.
Dhe të themi ne shqiptarët të mos bashkohemi sot? Kurrë.
Ne kemi një rrezik ekzistencial, kemi një rrezik që po na përzë nga Shqipëria.
Kemi një rrezik që ka shndërruar pasuritë tona në mallkim për shqiptarët.
Kemi një rrezik që për ne vendos droga në të gjitha nivelet.
Atëherë hajt të bashkohemi.
