Ford Mustang GTD do të marrë disa përditësime për vitin model 2028, përfshirë një edicion të veçantë që shënon 125-vjetorin e modelit “Sweepstakes”, makinës që Henry Ford ndërtoi dhe garoi me të në vitin 1901, në përpjekje për të tërhequr investitorë.

Fitorja në atë garë ndihmoi Fordin të siguronte mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e kompanisë. Tash, 125 vjet më vonë, prodhuesi amerikan po e nderon atë automjet me një pamje të veçantë për Mustang GTD-në, transmeton Telegrafi.


Edicioni i ri, i quajtur “1901”, vjen me ngjyrë të kuqe Royal Red dhe detaje të zeza. Pjesa e përparme, difuzori, pragjet anësore dhe spoileri i pasmë janë të punuara me fibër karboni të ekspozuar. Ky paketim zëvendëson atë “Spirit of America”, të ofruar vitin e kaluar.

Në kabinë, modeli i ri përmban ulëse të veshura me lëkurë në ngjyrë të kuqe mahogany dhe qepje sportive Race Red. Paketa Performance, e cila përfshin përmirësime aerodinamike dhe reduktim të peshës, do të jetë pjesë standarde e pajisjeve.

Përditësimet e vitit 2028 përfshijnë gjithashtu ndërrues të marsheve pas timonit, të prodhuar me teknologjinë e printimit 3D nga titani, si dhe një unazë të re për ndërrimin e marsheve. Lëkura me cilësi të lartë do të mbulojë tashmë edhe konzollën qendrore, panelet e dyerve dhe panelin e instrumenteve.

Ford do të ofrojë gjithashtu si opsion fellne prej magnezi. Ato ishin prezantuar që në lansimin e modelit, por problemet me furnizuesit kishin penguar disponueshmërinë e tyre. Kompania thotë se këto vështirësi tashmë janë zgjidhur.

Ndryshime ka edhe në pamjen e jashtme, ku do të ofrohen mundësi të reja për vijat dekorative me ngjyra. Paketa Liquid Carbon është përditësuar me detaje dhe vija ngjyrë bruz, ndërsa në gamën e ngjyrave janë shtuar Incognito Green dhe Teal Tonic, të cilat zëvendësojnë Sage Green dhe Blue Metallic.

Sa i përket motorit, Ford nuk ka bërë ndryshime. Mustang GTD vazhdon të përdorë motorin V8 5.2-litërsh me kompresor mekanik dhe sistem lubrifikimi me karter të thatë. Ai zhvillon 815 kuajfuqi, ndërsa fuqia transmetohet përmes një sistemi transaksial me tetë shpejtësi dhe dy friksione, të vendosur në pjesën e pasme.

Shpejtësia maksimale mbetet 202 milje në orë, ndërsa frenimi sigurohet nga sistemi qeramikë i frenave Brembo.

Ford pritet të publikojë çmimet më afër datës së daljes në shitje. Porositë për Mustang GTD 2028 do të hapen në dhjetor, ndërsa dërgesat e para pritet të nisin në tremujorin e dytë të vitit 2027. /Telegrafi/