Gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Berat, lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha, deklaroi se në frontin e përbashkët kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij, nuk përjashton asnjë forcë apo përfaqësues politik, përfshirë edhe Arlind Qorin e lëvisjes ‘Bashkë’. Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që e konsiderojnë narkoregjimin si të keqen më të madhe të vendit, të bashkohen për largimin e tij dhe garantimin e zgjedhjeve të lira.
‘Po, po me të gjithë, asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim’, u shpreh Berisha, duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të bashkëpunonte edhe me Qorin.
Berisha theksoi se bashkimi nuk kërkon që partitë e tjera të ndryshojnë platformat apo qëndrimet e tyre politike, edhe nëse ato janë kundër PD-së, pasi interesi kombëtar duhet të vendoset mbi interesat partiake.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Të gjithë ata që e konsiderojnë narkoregjimin të keqen më të madhe të kombit tonë, unë i ftoj: bëhuni liderë, ngrihuni, mos mendoni se humbisni vota po të afroheni me PD-në.
Por edhe sikur të humbisni vota, në emër të interesit kombëtar duhet ta pranoni.
Jo të paktë ishin ata që më kërkonin mua të ndërmarrim protestat tona. Jo, ishte përgjigja ime e prerë.
Po pse? Po në rast se Flamingot do ta shpëtonin Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe, po ne do festonim me gjithë shpirt.
Po ne jemi patriotë, ne vërtet e duam PD-në, por e duam Shqipërinë pakrahasimisht më shumë.
Dhe po të shihnim ne se Shqipëria po shpëton prej këtij regjimi, ne do duartrokisnim.
Ne shkuam dhe u futëm të gjithë në atë lëvizje, me mijëra e mijëra demokratë për suksesin e saj.
Ndaj dhe sot është koha e bashkimit para këtij rreziku të madh ekzistencial.
Më pyesin mua, po si thua ti, edhe me Qorin do bashkohemi? Po, po me të gjithë, asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim.
Jo.
Dhe nuk të them ndrysho platformën tënde politike, jo, mbaje zotëri. E ke kundër PD, mbaje kundër PD, por hajde njëherë të heqim këtë të keqe, ta kërrejmë këtë të keqe të madhe.
Dhe çfarë? Të votojmë të lirë.
Të votojmë jo duke përdorur qindra e qindra milionë euro në aktivitete për të ndikuar votën e qytetarëve.
4530 aktivitetet të kundërligjshme, thonë raportet ndërkombëtare, organizoi Edi Rama për të ndikuar qytetarët në votë, gjer tek Giro D’Italia ditën e votimit 7 milionë euro, në mënyrë që qytetarët të thonë ja e ka edhe këtë me vete.
Pra, të bashkohemi.
Të mos ndodhë që të falen dy ditë para zgjedhjeve 2 miliard e 100 milionë euro gjoba dhe kamata për të blerë vota.
Të mos ndodhë të dekretohen 29 mijë hektarë për të mbjellë kanabis në vit elektoral.
Të arrestohen liderët e opozitës në vit elektoral.
Hajde të votojmë si qytetarë evropianë, të zgjedhim ata që duam.
Të respektojmë vullnetin e qytetarëve.
© SYRI.net