Në reagimin e Presidencës theksohet se Shiroka Pula vlerëson se aktgjykimi ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave të palëve në proces.

Shiroka Pula ka theksuar se çdo institucion i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, të drejtat e garantuara me të dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

"Çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke garantuar të drejtat e të akuzuarve dhe respektimin e procedurave ligjore", thuhet në reagimin e saj.

Presidentja ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ajo ka kërkuar që edhe Dhomat e Specializuara të veprojnë në frymën e këtyre standardeve, duke përfshirë edhe respektimin e të drejtës për ankim.

Në fund, Shiroka Pula ka theksuar se kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe sakrifica e popullit të Kosovës, janë pjesë e historisë së vendit dhe nuk mund të vihen në pikëpyetje nga proceset gjyqësore.