Shqipëria nuk mund të shkojë në zgjedhjet e ardhshme me rregulla që prodhojnë mosbesim, pazare dhe përfaqësim të cunguar. Kodi Zgjedhor duhet të ndryshojë rrënjësisht, jo me arnime të bëra për interesat e partive të radhës.
Nevojitet një sistem proporcional kombëtar, që çdo votë të ketë peshën e vet dhe çdo parti të marrë përfaqësimin që i takon. Deputetët duhet të zgjidhen me lista të hapura, në mënyrë që qytetari të vendosë se kush e përfaqëson, jo kryetarët e partive në zyrat e tyre.
Komisionerët partiakë duhet të marrin fund. Votimi dhe numërimi elektronik, me garanci të plota për transparencë dhe verifikim, do të pakësonin manipulimin dhe konfliktet që shoqërojnë çdo proces zgjedhor. Koalicionet parazgjedhore duhet të lejohen, që votuesi ta dijë përpara zgjedhjeve se cilat forca bashkëpunojnë dhe çfarë alternativash i ofrojnë.
Edhe madhësia e Parlamentit duhet rishikuar: 101 deputetë mund të sigurojnë një përfaqësim më të përmbledhur dhe më pak të kushtueshëm për qytetarët. Por ulja e numrit nuk mjafton, nëse sistemi vazhdon t’ua heqë votuesve të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Kryetarët e Bashkive të zgjidhen kur marrin 50 plus 1 përqind të votave dhe jo kur merr të pakten 1 votë me tepër! Pra të zbatohet edhe balotazhi.
Një Kod i Ri Zgjedhor është urgjencë kombëtare. Ai nuk mund të shkruhet pas dyerve të mbyllura nga partitë që përfitojnë prej sistemit aktual. Duhet të ndërtohet me transparencë, ekspertizë dhe marrëveshje të gjerë, duke vendosur në qendër votën e qytetarit.
Pa rregulla të drejta, zgjedhjet humbin besimin. Pa besim, demokracia mbetet vetëm në letër.
