Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka zhvilluar një vizitë në fshatin Shulbater, në Klos të Dibrës, ku është takuar me familjet përfituese të Programit të Rijetëzimit të Kullave të Veriut. Gjatë vizitës, ajo u njoh nga afër me ecurinë e procesit të pajisjes së këtyre pronave me dokumentacionin përkatës.

Gjatë takimit me banorët, Goxhobelli bëri të ditur se në shtatë muajt e parë të zbatimit të programit ka nisur puna për 697 kulla në katër qarqe të veriut: Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës. Prej tyre, 326 kanë marrë tashmë titujt e pronësisë, ndërsa për pjesën tjetër procesi vijon.

“Qëllimi ynë është i thjeshtë: t’u japim familjeve dokumentet e pronësisë për kullat e tyre, duke u krijuar mundësi t’i restaurojnë, të investojnë dhe t’u japin një jetë të re. Dhe rezultatet e para janë shumë inkurajuese. Në vetëm shtatë muaj kemi nisur punën për 697 kulla në katër qarqe të veriut: Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës. Prej tyre, 326 janë pajisur tashmë me tituj pronësie, ndërsa për të tjerat puna vazhdon. Këto kulla nuk janë thjesht ndërtesa të vjetra. Ato janë pjesë e historisë, traditës dhe identitetit tonë. Dhe ne, si Kadastër, po japim kontributin tonë që kjo trashëgimi të ruhet dhe të marrë jetë përsëri”, u shpreh Goxhobelli.

Programi zbatohet me mbështetjen e GIZ dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me synimin që kullat tradicionale të mos mbeten vetëm dëshmi të së kaluarës, por të shndërrohen në pasuri të përdorshme për familjet dhe zhvillimin e turizmit në zonat përkatëse.

Pajisja me dokumente pronësie konsiderohet një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e problematikave të pronësisë, si dhe për ruajtjen dhe rijetëzimin e një prej simboleve më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore të veriut.