Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ku në qendër të diskutimeve ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe hapat që duhen ndërmarrë për përmbylljen e negociatave.
Gjatë takimit, palët analizuan ecurinë e vendit pas publikimit të Raportit të Progresit 2026, udhërrëfyesin e negociatave, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ministri Hoxha theksoi se Shqipëria ka krijuar një moment të rëndësishëm në rrugëtimin drejt BE-së, por tashmë ky progres duhet të konkretizohet përmes rezultateve të matshme dhe reformave të qëndrueshme.
“Tani është koha që këtë momentum ta përkthejmë në rezultate të matshme, të vijojmë me mbylljen e kapitujve dhe t’i shndërrojmë angazhimet në reforma, e reformat në anëtarësim”, u shpreh ministri.
Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së, me qëllim përshpejtimin e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit në këtë fazë vendimtare.
Në përfundim të takimit, ministri falënderoi Komisioneren Marta Kos për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe angazhimin për një proces zgjerimi të besueshëm, të bazuar në meritë. Ai theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian përbën një investim strategjik në të ardhmen e përbashkët europiane.
