Nënkomisioni për Auditimin shqyrton raportet e KLSH-së për sigurinë e barnave, shërbimin e dializës dhe buxhetin 2027
Nën drejtimin e kryetarit Igli Cara, Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik zhvilloi mbledhjen e radhës, ku në fokus të punimeve ishin dy raporte të rëndësishme të auditimit të performancës në sektorin e shëndetësisë, si dhe projektbuxheti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për vitin 2027.
Fillimisht, anëtarët e nënkomisionit morën në shqyrtim dhe miratuan raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti dhe siguria e barnave që qarkullojnë në Shqipëri”, përmbledhja dhe gjetjet kryesore të të cilit u prezantuan nga deputetja Ledina Alolli.
Auditimi i shërbimit të hemodializës dhe 32 rekomandimet
Në pikën e dytë të rendit të ditës, u prezantua raporti i KLSH-së për auditimin e performancës “Shërbimi në Terapinë Renale Zëvendësuese (hemodializa, dializë peritoneale, transplanti)”. Për të raportuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve ishin të pranishme përfaqësueset e KLSH-së, Xhuljeta Çelaj dhe Arminda Bushi.
Kryeaudituesja Xhuljeta Çelaj sqaroi se auditimi, i realizuar përgjatë vitit 2023 dhe që mbulon periudhën 2020–2023, ka vlerësuar efektivitetin e politikave dhe zbatimin e tyre nga institucionet përgjegjëse në drejtim të “parandalimit, identifikimit të hershëm dhe menaxhimit të sëmundjeve kronike të veshkave, si dhe organizimit dhe ofrimit të shërbimit të terapisë renale zëvendësuese”. Ajo detajoi problematikat e konstatuara në terren, si dhe ecurinë e zbatimit të 32 rekomandimeve të lëna nga KLSH.
Projektbuxheti 2027 dhe kërkesa për shtim stafi
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektbuxhetit të vitit 2027 për Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili u prezantua nga drejtoresha e Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit Profesional në KLSH, Ermira Hoxha.
Gjatë fjalës së saj, znj. Hoxha paraqiti programet buxhetore dhe investimet e planifikuara, duke vënë në dukje se tavani buxhetor i akorduar për vitin 2027 arrin në vlerën 735,5 milionë lekë, shifër kjo që është 15% më e ulët se kërkesat fillestare të paraqitura nga institucioni. Po ashtu, ajo argumentoi domosdoshmërinë për shtimin e organikës së KLSH-së me 10 punonjës të rinj.
Në përfundim të seancës, kryetari i nënkomisionit, Igli Cara, kërkoi nga përfaqësuesit e KLSH-së informacion të detajuar dhe të dokumentuar mbi:
- Realizimin e buxhetit të vitit 2026 dhe planit vjetor të auditimit;
- Analizën e ngarkesës aktuale të audituesve;
- Kriteret dhe nevojat konkrete për rekrutimet e reja;
- Kostimin e saktë të shpenzimeve operative dhe investimeve të propozuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




