Vijojnë tensionet përpara Kryeministrisë në ditën e 171-të të protestës kundër qeverisë.
Protestuesit nuk po lejohen që të protestojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por se janë të detyruar të qëndrojnë në trotuare.
Përplasjet e forta janë shënuar thuajse në gjithë bulevardin. Policia ka nisur edhe shoqërimet, që shpesh janë të dhunshme.
Gjatë aksioneve të policisë, një vajze i ka rënë të fikët, teksa iu dha ujë nga qytetarët e pranishëm.
Protestuesit janë bërë bashkë në një moment, duke penguar furgonin policor, pasi në të ndodheshin protestues të shoqëruar.
Pavarësisht reprezaljes të policisë, protestuesit kanë bërë thirrje të forta në kor. Ata kënduan këngë patriotike dhe bënë thirrje për dorëheqje të kryeministrit dhe qeverisë së tij, që e akuzojnë për korrupsion të përhapur në nivele të larta të qeverisjes.
