Aleanca për Shqiptarët reagoi pas raportimeve se përfaqësuesi studentor Besar Sejdiu ishte ndaluar në pikën kufitare të Bllacës.
Partia tha se është thellësisht e shqetësuar për ndalimin dhe pretendimin se Sejdiu ishte vendosur në një listë për kontrolle të veçanta, pa iu dhënë shpjegim i qartë. Sipas ASH-së, është e papranueshme që një përfaqësues i angazhuar për të drejtat e studentëve shqiptarë të përballet me një trajtim të tillë pa transparencë institucionale. Rasti, sipas saj, ngre dyshime serioze për presion ndaj zërit kritik studentor.
Të lidhura
None found
ASH kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme të bëjë të ditur menjëherë se kush e urdhëroi kontrollin, cila ishte baza ligjore dhe nëse veprimi kishte lidhje me angazhimin publik të Sejdiut. “Studentët nuk janë armiq të shtetit dhe institucionet nuk guxojnë të përdoren për t’i frikësuar ata”, deklaroi partia.
Për ndalimin reagoi edhe Lëvizja Studentore, e cila tha se veprimi ngre dyshime për presion të qëllimshëm institucional ndaj përfaqësuesve studentorë dhe përpjekje për t’i frikësuar e larguar studentët nga kërkesat e tyre legjitime.
“Veçimi dhe shoqërimi i një përfaqësuesi studentor në ambientet e brendshme të policisë kufitare, pa një arsyetim të qartë, nuk mund të kalohet në heshtje”, u shpreh Lëvizja Studentore.








