Mbi 10 milionë euro pasuri, mes pronave të paluajtshme, bizneseve dhe automjeteve luksoze, i janë sekuestruar Ilir Shehut, i njohur edhe si Ilir Pasholli. Emri i tij është i njohur në sektorin farmaceutik, ku zotëron disa kompani të tregtimit të barnave, por hetimet e autoriteteve shqiptare dhe italiane e lidhin atë me trafikimi i narkotikëve, prostitucion, rrëmbim dhe kontrabandë ilaçesh. Në listën e aseteve të sekuestruara 51 vjeccarit janë 14 pasuri të paluajtshme në emër të tij, 6 të tjera në emër të bashkëshortes, 6 subjekte tregtare dhe 8 automjete. Sipas hetimeve, barnat bliheshin në Itali me fatura të rregullta, ku deklaroheshin më shumë se 10 artikuj farmaceutikë. Dokumentacioni doganor italian pasqyronte peshën dhe vlerën reale të mallit, ndërsa në doganën shqiptare lista e produkteve shkurtohej, duke deklaruar vetëm 4 ose 5 artikuj. Pjesa tjetër, sipas dyshimeve të hetuesve, futej në tregun shqiptar pa dokumentacion të rregullt. Një pjesë e barnave dyshohet se legalizohej më pas përmes një operatori tjetër, për të fshehur origjinën e tyre.