Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur sot nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, të akuzuar për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në një reagim të Presidencës, Shiroka-Pula shprehet se vendimi ngre shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të palëve në proces, duke kërkuar që procedurat gjyqësore të zhvillohen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë.
Ajo thekson se çdo institucion i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, duhet të veprojë brenda juridiksionit të përcaktuar nga Kushtetuta dhe të respektojë të drejtat e garantuara në Kapitullin II të saj, si dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të përfshira në nenin 22.
“Çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke garantuar të drejtat e të akuzuarve dhe respektimin e procedurave ligjore. Aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave të palëve”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Më tej, presidentja nënvizon se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, ndërsa shpreh pritshmërinë që edhe Dhomat e Specializuara të veprojnë në të njëjtën frymë, duke garantuar respektimin e standardeve ndërkombëtare gjatë gjithë procesit, përfshirë edhe të drejtën e ankimit.
Në reagimin e saj, Shiroka-Pula ndalet edhe te lufta për liri dhe pavarësi, duke theksuar se kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrifica e popullit të Kosovës janë pjesë e historisë së vendit dhe nuk mund të vihen në pikëpyetje nga proceset gjyqësore.
#Kosovë #JustinaShirokaPula #HashimThaçi #DhomatESpecializuara #Hagë #Drejtësia

