Shpëtim Musliu është një prej personave të dyshuar për përfshirje në një plan terrorist që, sipas hetimeve, synonte eliminimin e një biznesmeni izraelit në Greqi. Ky i fundit mbante një pozicion të lartë drejtues në një kompani të industrisë së prodhimit të armëve në Izrael.
Musliu, i lindur më 21 dhjetor 1996 dhe banues në Kumanovë, dyshohet se ishte rekrutuar për të marrë pjesë në realizimin e atentatit. Ai është një prej katër shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut që dyshohet se ishin pjesë e kësaj celule.
Sipas të dhënave të hetimit, grupi drejtohej nga Edriz Mavaneh, ndërsa në organizimin e dyshuar përfshiheshin edhe dy shtetas iranianë. Njëri prej tyre, i identifikuar si Mabanex, dyshohet se siguronte financimin e operacionit, në bazë të udhëzimeve të marra nga shërbimet iraniane të inteligjencës.
Musliu kishte tentuar më parë të hynte në Greqi përmes Turqisë, por ishte kthyer nga autoritetet kufitare në Evros. Gjatë një përpjekjeje të dytë, ai u ndalua pasi shërbimet greke kishin marrë informacione nga homologët e tyre në Maqedoninë e Veriut për aktivitetin e dyshuar të grupit.
Autoritetet greke bëjnë me dije se celula ishte mbajtur nën vëzhgim për afro një vit. Pas dorëzimit të Musliut te autoritetet e Maqedonisë së Veriut, hetimet janë zgjeruar për të identifikuar bashkëpunëtorë të mundshëm dhe kontaktet që grupi mund të ketë pasur në Greqi.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin shtrirjen e plotë të rrjetit të dyshuar, burimet e financimit dhe rolin që ka pasur secili prej personave të përfshirë.
