Komuniteti shqiptar në Australi po përgatitet të shënojë festat e Nëntorit me një sërë aktivitetesh kulturore dhe festive në Melbourne, Adelaide dhe Sydney.

Sipas njoftimit të Shoqatës së Komunitetit Shqiptaro-Australian (AACA), aktivitetet do të nisin më 27 nëntor në Melbourne, në Grand Star Receptions, për të vazhduar më 28 nëntor në Adelaide, në Mater Christi Parish Function Room, dhe më 5 dhjetor në Sydney, në Holiday Inn, Warwick Farm.


Mbrëmjet festive do të shoqërohen me muzikë live dhe performanca nga artistët Bruno Pollogati, Aldor Kukli dhe klarinetisti Fatjon Latifi, duke mbledhur bashkatdhetarët në shënim të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Programi do të vazhdojë më 6 dhjetor me një festival kulturor në Footscray Park të Melbourne-it, ku do të ketë muzikë shqiptare, ushqim tradicional dhe aktivitete për familje.

Ndërsa më 25 dhjetor, në të njëjtin qytet, është planifikuar edhe një darkë festive për Krishtlindje, shkruan Telegrafi.

Aktivitetet organizohen edhe në mbështetje të organizatave bamirëse Kind Cuts for Kids dhe Albanian Eagles Folk Dance, me synimin për të ruajtur traditat shqiptare, për të forcuar lidhjet e komunitetit dhe për të promovuar kulturën kombëtare te brezat e rinj në Australi./Telegrafi/