Tre persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni të vogël në Parkun Kombëtar Grand Canyon, në Arizona të SHBA-së. Trupat e viktimave u gjetën të hënën në mëngjes, pas një operacioni kërkimi që zgjati gjatë gjithë natës.
Sipas Shërbimit të Parqeve Kombëtare të SHBA-së (NPS), Qendra Rajonale e Komunikimit të Grand Canyon mori njoftimin për zhdukjen e një avioni të tipit Piper Comanche rreth orës 23:30 të së dielës.
Avioni ishte parë për herë të fundit në zonën e njohur si Basin, në pjesën veriore të parkut, North Rim, një territor më i lartë dhe më pak i vizituar nga turistët.
Pas kërkimeve intensive, rreth orës 10:15 të së hënës, ekipet lokalizuan rrënojat dhe mbetjet e avionit në të njëjtën zonë. Të tre personat që ndodheshin në bord u gjetën të vdekur.
Operacioni i kërkimit u mbështet edhe nga Departamenti i Sigurisë Publike i Arizonës, i cili kreu kontrolle nga ajri duke përdorur teknologjinë infra të kuqe FLIR.
NPS bëri të ditur se identitetet e viktimave nuk do të publikohen për momentin, në respekt të familjarëve të tyre.
Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë. Hetimin për përcaktimin e rrethanave të rrëzimit do ta drejtojë Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), në bashkëpunim me Shërbimin e Parqeve Kombëtare.

