Shqipëria do të vijojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për sigurinë euroatlantike dhe mbështetjen e Ukrainës përballë agresionit rus. Këtë qëndrim përcolli ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, gjatë pjesëmarrjes në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG), të zhvilluar në Selinë e NATO-s në Bruksel.
Në qendër të diskutimeve ishte vijimi i mbështetjes së koordinuar ndërkombëtare për Kievin, me synimin për t’i dhënë fund luftës dhe për të krijuar kushtet për një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Përmes një reagimi pas takimit, Nufi theksoi se Shqipëria e konsideron mbështetjen për Ukrainën jo vetëm si solidaritet me një vend që po mbron sovranitetin e tij, por edhe si pjesë të përgjegjësisë së saj si anëtare e NATO-s.
“Si një anëtare e përgjegjshme e NATO-s, Shqipëria e konsideron këtë si angazhim ndaj vlerave që na bashkojnë, ndaj së drejtës së një kombi për të mbrojtur lirinë dhe sovranitetin e tij, sikurse është një përgjegjësi e vendit tonë ndaj sigurisë kolektive dhe kontributit për një hapësirë euroatlantike më të sigurt”, u shpreh ministri.
Takimi u organizua nën kujdesin e ministrit federal të Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, dhe sekretarit britanik të Shtetit për Mbrojtjen, Wes Streeting.
Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës bashkon vende partnere për të koordinuar ndihmën ushtarake për Kievin, në kushtet kur lufta me Rusinë vijon.
#Shqipëri #NATO #Ukrainë #ErmalNufi #SiguriaKolektive #Bruksel

