Hoxha: Këta kujtohen për socialistët para fushate, pastaj janë rilindas! Klosi: Të gjithë socialistët janë aty

Studio e “Të Paekspozuarit” e Ylli Rakipit në Vizion Plus u kthye këtë të martë në arenë debati mes analistëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi.
Për analistin Artan Hoxha, sot në PS nuk ka më socialistë. Sipas tij, drejtuesit e partisë kujtohen për socialistët para fushatës, ndërsa pas fushatës janë të gjithë rilindas.
Por për Klosin, të gjithë socialistët janë në parti dhe vijojnë të japin kontributin e tyre në parti.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: A mund të rebelohen në PS kundër Ramës?
Hoxha: Kjo shprehja disiplinë më duket si trajnerët e futbollit. Brigeli gjeti skuadrën pa disiplinë dhe i vuri në rresht. Partia politike është organizim vullnetar. Në momentin që ti u mbyll gojën të gjithëve, madje tha nuk përbën lajm kur PS përgatitet për fitore, këta dhe lajmin e përgatitin vetë. Sa herë i afrohen fushatës, flasin për socialistët, sapo marrin mandatin bëhen rilindas. Rama tha nuk e kanë me mua, e kanë me ju. Unë nuk kam parë në asnjë cep të territorit që një qytetar të jetë marrë me socialistët, e kanë me Edi Ramën. Nëse Balla i tha Velisë që nuk mund të fshihesh pas PS-së, as Rama nuk mund të fshihet pas PS-së. Nëse flisni për PS-në, mjafton vetëm ajo pamja e atyre që dolën nga selia. Ore, çfarë ishin ata që dolën me bishtat e lopatave? Socialistët morën vesh që selia është. Si është e mundur që nga gjithë ata të arrestuar, nuk keni një socialist? 800 mijë vota, ju nuk keni një socialist?
Klosi: Kjo nuk është e vërteta.
Hoxha: Janë fakte, mo. Më thuaj një drejtues të arrestuar që ka qenë një ditë socialist.
Klosi: Ky është opinioni juaj.
Hoxha: Çfarë janë ata që dolën ke PS-ja?
Klosi: Ajo që të habit është se e kanë me Edi Ramën? Po ai është drejtuesi ynë, mo.
Hoxha: Rama thotë e kanë me socialistët.
Klosi: Ti pret të dalin ata që dilnin para 30 vjetësh, por kanë ardhur të rinj, profesorë, mjekë, dentistë, specialistë. Të gjithë ata që kanë dhënë kontributin për partinë kur kishim 35-vjetorin ishin të gjithë bashkë.
Hoxha: Ishte dhe babai i Gys Agasit, por mos i ngatërro.
Klosi: Bardhyl Agasi është një nga themeluesit. Edhe në forumin për të cilin folëm ditën e shtunë ka nga themeluesit e deri te ata që kanë lindur pasi Rama u bë kryetar.
Hoxha: Pse nuk e përjashtoni dhe Majkon?
Klosi: Ne nuk kemi përjashtuar asnjë njeri për fjalën. Për ndarje projektesh dhe krijimin e momenteve të caktuara marrim vendime.
Hoxha: Ju përjashtoni, mo, por bëhuni burra.
Bushati: Ore, mbase as Klosi nuk e di.




