Kuqezinjtë e Alban Bushit rezistojnë përballë një kundërshtari me talente të Real Madridit, Barcelonës dhe Atletico Madridit. Rashica humbet rastin e artë në pjesën e parë, ndërsa pritjet e T ahos dhe traversa mbajnë portën shqiptare të paprekur.

Shqipëria U21 mbyll vitin 2026 me një rezultat që meriton vëmendje. Kuqezinjtë e Alban Bushit barazuan 0-0 me Spanjën U21 në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, duke marrë një rezultat pozitiv përballë një prej përfaqësueseve më të forta të kësaj grupmoshe. Edhe pse nuk u shënuan gola, sfida prodhoi emocione dhe raste të shumta, veçanërisht në pjesën e dytë. Spanja pati më shumë kontrollin e topit dhe ushtroi presion të vazhdueshëm, por Shqipëria tregoi organizim dhe karakter, duke mos lejuar që kundërshtari të konkretizonte epërsinë në lojë.

Rastin më të mirë në pjesën e parë e patën kuqezinjtë. Në minutën e 13-të, Ermir Rashica u gjend përballë portierit Manuel Gonzalez, por nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë. Një mundësi e artë për Shqipërinë, që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e takimit. Në krahun tjetër, Spanja e rriti ndjeshëm presionin pas pushimit. Talente si Marc Bernal i Barcelonës, Carlos Espi i Real Madridit dhe Mendoza i Atletico Madridit ishin pjesë e formacionit iberik, duke i dhënë edhe më shumë peshë provës së kuqezinjve.

Megjithatë, Shqipëria rezistoi. Portieri Taho u kthye në një nga protagonistët kryesorë, me pritje vendimtare, ndërsa traversa i erdhi në ndihmë përfaqësueses sonë në një tjetër moment të rrezikshëm. Përtej rezultatit, kjo miqësore ishte një provë e rëndësishme për Alban Bushin, i cili u dha hapësirë edhe futbollistëve të kampionatit shqiptar, si Daka, Përndreca, Arifi dhe Tresa. Barazimi vjen në kuadër të përgatitjeve për Europianin U21 të vitit 2027, ku Shqipëria është një nga vendet organizatore dhe e ka të garantuar pjesëmarrjen në fazën finale. Më herët gjatë muajit nëntor, kuqezinjtë kishin fituar 3-1 ndaj Luksemburgut. Një barazim pa gola, por me vlerë të madhe për Shqipërinë U21, që tregoi se mund të përballet pa kompleks edhe me një kundërshtar të kalibrit të Spanjës.

Top Channel