Debati për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet e Partisë Socialiste është zhvendosur edhe në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ku gazetari Artan Hoxha është përplasur me sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi.
Hoxha kërkoi nga Klosi të shpjegojë arsyet që çuan në marrjen e kësaj mase ndaj dy figurave socialiste, duke e sfiduar të flasë hapur për vendimin e partisë.
Gazetari ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon organizimi i PS-së dhe përdorimin e termit “disiplinë”, ndërsa ironizoi edhe ndryshimin e qëndrimit të drejtuesve ndaj anëtarësisë, në varësi të periudhave elektorale.
Nga ana e tij, Klosi mohoi që Spiropali dhe Ndreca të jenë ndëshkuar për shkak të qëndrimeve apo lirisë së shprehjes. Ai argumentoi se në parti kanë ardhur gjenerata të reja, ndërsa personat që kanë kontribuar ndër vite vijojnë të jenë pjesë e saj.
Përgjigjja e sekretarit të Përgjithshëm nuk e bindi Hoxhën, i cili këmbënguli se drejtuesit duhet të bëjnë publik motivin e vërtetë të vendimit.
“Ju përjashtoni, mo, por bëhuni burra”, iu drejtua gazetari Klosit gjatë debatit.
Në bisedë ndërhyri edhe analisti Andi Bushati, i cili la të kuptohej se vendimi mund të mos ishte i njohur plotësisht edhe për vetë sekretarin e Përgjithshëm të PS-së.












