Erjon Vishkulli, 28- vjeçari që mbeti i dëmtuar rëndë në sy gjatë protestave në Tiranë, është rikthyer në Shqipëri pas tri javësh në Itali, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në një intervistë për gazetaren Ornela Joti në A2 CNN, Vishkulli ka treguar se mjekët i kanë dhënë shpresa për rikuperimin e syrit, por ende nuk ka asnjë garanci se do të rifitojë shikimin.
“Për momentin fjalët janë të mira për syrin, por siguri nuk kemi. Kontrolli i fundit më dha shpresë, sepse ndieja dritë. Operacioni i radhës, që është kryesori, aty besoj do të shoh shenjat e para. Më 17 dhjetor kam kontrollin”, tha ai.
28-vjeçari tregoi se mbështetja e qytetarëve, miqve dhe shqiptarëve që e kanë vizituar në Itali i ka dhënë forcë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Por, edhe pse nuk dëshiron ta kujtojë ditën kur u plagos, Vishkulli ka një përgjigje të prerë për pjesëmarrjen e tij në protestë. “S’dua ta kujtoj atë ditë. Asnjë pendesë që mora pjesë.”.
Ndërsa pret të mësojë nëse do të mund të shohë sërish, 28-vjeçari e ka të qartë se dëmtimi i rëndë që pësoi nuk ia ka ndryshuar qëndrimin për pjesëmarrjen në protestë.




