Ylli argjentinas ka angazhuar një ekip juristësh për të mbrojtur përdorimin e emrit dhe imazhit të tij. Në qendër të konfliktit janë të drejtat komerciale, një fushatë reklamuese me birrë dhe polemikat për miqësoret e Argjentinës.

Marrëdhënia mes Lionel Messit dhe presidentit të Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), Claudio Tapia, raportohet se po kalon një periudhë të vështirë. Sipas gazetës argjentinase Clarín, kapiteni i kampionëve të botës ka angazhuar një ekip juristësh për të mbrojtur të drejtat mbi emrin dhe imazhin e tij, duke kërkuar që ato të mos përdoren për qëllime komerciale pa miratimin e tij personal.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse njoftimi zyrtar i është dorëzuar tashmë AFA-s apo është vetëm përgatitur nga përfaqësuesit ligjorë të futbollistit. Deri tani, as Messi dhe as Tapia nuk kanë bërë ndonjë reagim publik për këtë çështje. Një nga pikat e konfliktit lidhet me përdorimin e imazhit të Messit në një fushatë reklamuese për një markë argjentinase birre, e cila është sponsore e AFA-s. Sipas raportimeve, Tapia kishte dhënë miratimin për këtë fushatë gjatë Botërorit, pavarësisht se futbollisti kishte një marrëveshje tjetër komerciale. Megjithatë, pretendimi se bëhej fjalë për një markë konkurrente amerikane nuk është konfirmuar.

Në sfondin e kësaj përplasjeje është edhe çështja e miqësoreve të kombëtares argjentinase. Në Florida është ngritur një padi civile për mungesën e Messit në ndeshjen kundër Venezuelës, më 10 tetor 2025, ndërkohë që ai luajti disa ditë më vonë kundër Porto Rikos.

Këto zhvillime vijnë në një moment kur drejtuesit e AFA-s janë përballur edhe me hetime dhe akuza të ndryshme. Megjithatë, deri tani nuk ka prova që ta lidhin drejtpërdrejt nismën ligjore të Messit me këto hetime. Pavarësisht raportimeve të Clarín, çështja mbetet e bazuar në burime anonime dhe pret një konfirmim zyrtar. Ajo që duket e qartë është se raporti mes yllit të Inter Miami dhe drejtuesit të futbollit argjentinas po shoqërohet nga tensione gjithnjë e më të dukshme.

Top Channel