Faqja zyrtare dhe shërbimet e të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Motit në SHBA (NWS) u ndërprenë për rreth 40 minuta të martën, pas një problemi teknik të shkaktuar nga mirëmbajtja rutinë e rrjetit. Agjencia konfirmoi se defekti është zgjidhur dhe se të gjitha shërbimet e prekura janë rikthyer në funksion.
Sipas deklaratës zyrtare, ndërprerja ndodhi nga ora 11:05 deri në 11:45, sipas kohës lindore amerikane. NWS bëri të ditur se sistemet funksionojnë tashmë normalisht.
Agjencia theksoi se problemi nuk preku infrastrukturën kritike të komunikimit të emergjencave. Gjatë kësaj kohe vijuan të funksiononin si radioja NOAA Weather Radio, ashtu edhe sistemi satelitor NOAAPort, përmes të cilit transmetohen të dhënat meteorologjike.
Megjithatë, NWS u bëri thirrje qytetarëve që të mos mbështeten vetëm te një burim informacioni për marrjen e paralajmërimeve urgjente.
“Si gjithmonë, NWS këshillon të gjithë që të kenë disa mënyra për të marrë paralajmërime kritike dhe që kërkojnë reagim në kohë”, thuhet në deklaratën e agjencisë.
Ndërprerja regjistrohet në një javë të shoqëruar nga një sërë problemesh teknologjike që kanë prekur institucione federale, banka dhe platforma të mëdha në SHBA. Ndër emrat që kanë raportuar defekte janë Microsoft, Apple, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA).
Megjithatë, deri tani incidentet janë lidhur me shkaqe të ndryshme teknike dhe nuk ka prova që ato të jenë pjesë e një sulmi të koordinuar kibernetik.

