Siguria e bukës që konsumojmë çdo ditë nuk varet vetëm nga procesi i prodhimit, por nis që në momentin kur gruri korret dhe magazinohet.
I ftuar në emisionin “Alert” në News24, teknologu ushqimor Mirvjen Shehaj theksoi se drithërat korren një herë në vit dhe duhet të qëndrojnë për periudha të gjata në magazina, çka e bën të domosdoshme ruajtjen e tyre në kushte të kontrolluara. Sipas tij, gruri duhet të mbrohet nga lagështira, temperaturat e larta dhe ekspozimi ndaj dritës, pasi këta faktorë mund të krijojnë kushte për dëmtimin dhe kontaminimin e tij.
“Cilësia dhe siguria janë kryesore, në mënyrë që të garantojmë produktin përpara se të përfundojë të konsumatori.Kushtet e ruajtjes dhe mungesa e gjurmueshmërisë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe sigurinë e drithërave që përfundojnë në tryezën e konsumatorëve” tha Shehaj.
Shehaj nënvizoi se përgjegjësia për sigurinë ushqimore duhet të shtrihet në të gjithë zinxhirin, duke nisur nga operatorët e biznesit dhe institucionet përgjegjëse për kontrollin, deri te përpunimi, prodhimi i bukës dhe konsumatori. Një produkt i sigurt, sipas tij, duhet të kalojë në disa etapa kontrolli dhe të ketë gjurmueshmëri të plotë.
“Një nga proceset më të rëndësishme është pastrimi i grurit, ku duhet të largohen lëndët e huaja dhe kokrrat e dëmtuara. Më pas vjen procesi i bluarjes dhe kontrolli i parametrave të miellit, ku përqindja e lagështirës mbetet një nga treguesit kryesorë të cilësisë. Duhet të verifikohet prania e infeksioneve kërpudhore dhe e aflatoksinës, substanca që mund të përbëjë rrezik për shëndetin e konsumatorëve” u shpreh teknologu.
Mirvjen Shehaj vuri në dukje se fabrikat e mëdha disponojnë laboratorë modernë, të cilët mundësojnë kontrolle më të detajuara për parametrat e grurit dhe miellit. Megjithatë, ai ngriti shqetësimin edhe për miellrat e importit, duke përmendur produkte që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut: “Kanë vlera të ulëta proteinike dhe të përfundojnë drejtpërdrejt në furrat e bukës dhe te konsumatori, pa një gjurmueshmëri të mjaftueshme përgjatë zinxhirit”
Një tjetër problem është prania e insekteve, veçanërisht gjatë periudhës së verës, kur kushtet e ruajtjes mund të favorizojnë infektimin e drithërave. Për këtë arsye, Shehaj theksoi rëndësinë e pastrimit dhe përpunimit të duhur të grurit, përfshirë largimin e pjesëve të jashtme që mund të mbartin ndotës.
Sipas tij, analiza e grurit është vendimtare, pasi cilësia e tij përcakton edhe cilësinë e miellit që prodhohet më pas.
