77 milionë dollarë për bombën e re bërthamore amerikane, në shënjestër bunkerët e Iranit, Rusisë dhe Kinës Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur zyrtarisht statusin e vendit që ka eliminuar fruthin, pas 26 vitesh, për shkak të përhapjes së vazhdueshme të virusit dhe pamundësisë për të kontrolluar epideminë.
Lajmi u konfirmua të martën nga Organizata Panamerikane e Shëndetësisë (PAHO), e cila njoftoi se të njëjtin status e kanë humbur edhe Bolivia dhe Meksika, raporton Reuters.
Sipas autoriteteve shëndetësore, SHBA-ja po përballet me numrin më të lartë të rasteve të fruthit në më shumë se tre dekada. Që nga viti 2025, janë regjistruar rreth 7,700 persona të infektuar dhe të paktën 13 viktima, ndërsa shumica dërrmuese e rasteve janë evidentuar te personat e pavaksinuar.
Humbja e këtij statusi vjen pas më shumë se një viti transmetimi të vazhdueshëm të të njëjtit virus, duke treguar se sëmundja nuk është më e kontrolluar në nivelin e kërkuar për certifikimin e eliminimit.
Sipas PAHO-s, autoritetet amerikane duhet të paraqesin një plan korrigjues, ku të përcaktohen masat për forcimin e vaksinimit, mbikëqyrjen epidemiologjike dhe reagimin ndaj shpërthimeve. Më pas, vendi duhet të dëshmojë se nuk ka pasur transmetim të virusit për një periudhë prej 12 muajsh.
Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) deklaroi se mbetet e angazhuar për ndalimin e shpërthimeve dhe rikthimin e statusit të eliminimit të fruthit.
Situata është veçanërisht shqetësuese për foshnjat nën një vjeç, të cilat janë më të ekspozuara ndaj rrezikut, pasi ende nuk kanë arritur moshën për vaksinimin rutinë kundër fruthit.
Top Channel