Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer zjarr të martën, në një tjetër përshkallëzim të konfliktit mes dy vendeve. Ushtria amerikane ka goditur një pozicion për lëshimin e raketave në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, pasi Garda Revolucionare iraniane njoftoi se kishte shënjestruar një sistem radar amerikan në Bahrein.
Sipas një zyrtari ushtarak amerikan, sulmi ndaj pozicionit iranian u krye në përgjigje të asaj që Uashingtoni e cilësoi si “agresion ndaj personelit dhe aseteve amerikane”. Ndërkohë, mediat iraniane raportuan se goditja nuk shkaktoi dëme në infrastrukturë.
Më herët, Garda Revolucionare deklaroi se kishte sulmuar sistemin radar në bazën Sheikh Isa në Bahrein. Autoritetet e këtij vendi thanë se e kishin interceptuar sulmin dhe se nuk kishte persona të lënduar apo dëme materiale. Bahreini strehon selinë e Flotës së Pestë të Marinës amerikane.
Pavarësisht përplasjeve ushtarake, përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës vijojnë. Zyrtarë iranianë dhe të Katarit zhvilluan bisedime të martën, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, vizitoi Omanin, ku diskutoi për sigurinë e korridoreve detare, lëvizjen e lirë të tregtisë dhe shmangien e përshkallëzimit ushtarak.
Në qendër të shqetësimeve mbetet Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm përpara konfliktit. Sulmet ndaj cisternave janë shtuar, ndërsa autoritetet britanike njoftuan se ekuipazhi i një cisternë të sulmuar në veri të portit omanian Khasab rezultonte i pagjetur.
Ndërkohë, Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja do të ruajë bllokadën detare ndaj Iranit, duke e akuzuar Teheranin për pengimin e transportit detar. Presidenti amerikan tha gjithashtu se Uashingtoni po e merr seriozisht mundësinë e një sulmi iranian me “bombë të pistë” në kryeqytetin amerikan. Teherani i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si akuza të pabaza.
Konflikti po shtrihet edhe në pjesë të tjera të rajonit, ndërsa Irani ka paralajmëruar Bahreinin për bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në. Nga ana tjetër, çmimi i naftës Brent u rrit me 0.4%, duke arritur në 92.76 dollarë për fuçi, në një treg që vijon të ndikohet nga pasiguria dhe tensionet në Lindjen e Mesme.








Komente
Komento