Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar një humbje të rëndë në udhëtim ndaj Irlandës me rezultatin e pastër 3-0, në takimin e vlefshëm për Ligën e Kombeve, të zhvilluar në “Aviva Stadium”.
Ndeshja u kushtua shtrenjtë nga episode të vështira dhe vendimtare, ku “Dardanët” u detyruan të luajnë pjesën më të madhe të ndeshjes me një lojtar më pak.
Pika e kthesës dhe momenti më i errët i ndeshjes ndodhi në minutën e 26-të. Mbrojtësi Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq pasi e largoi topin me dorë nga vija e portës për të shmangur një gol të sigurt. Gjyqtari akordoi menjëherë penallti për Irlandën, e cila u ekzekutua me sukses nga Troy Parrott në minutën e 28-të, duke zhbllokuar shifrat dhe duke e lënë Kosovën me 10 lojtarë në fushë.
Pjesa e dytë solli sërish goditje për Përfaqësuesen e Kosovës. Sapo kishte nisur fraksioni i dytë, në minutën e 50-të, Irlanda fitoi një tjetër penallti, e cila u shndërrua sërish në gol nga Troy Parrott, duke dyfishuar epërsinë.
Kur u munduan të reagonin, vendasit vulosën fatin e këtij takimi në minutën e 75-të, kur Jack Moylan realizoi golin e tretë, duke mbyllur çdo llogari të mundshme për një përmbysje dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.










