Kompania norvegjeze e naftës dhe gazit Equinor ka zbuluar një sulm kibernetik në disa prej sistemeve të saj të teknologjisë së informacionit (IT), por ka bërë të ditur se incidenti nuk ka prekur operacionet dhe prodhimin.

Në një deklaratë zyrtare, kompania, e cila është furnizuesi më i madh i gazit natyror në Evropë, bëri të ditur se sulmi prek sistemet e komunikimit dhe se deri më tani nuk ka të dhëna për ndërhyrje apo vjedhje të informacionit.

Sipas agjencisë norvegjeze të lajmeve NTB, problemet kanë ndikuar në funksionimin e aplikacioneve dhe sistemeve të brendshme të IT-së. Ndërkohë, një burim brenda kompanisë i tha Reuters se sistemi i brendshëm i postës elektronike të Equinor ishte jashtë funksionit.

Kompania njoftoi se ka marrë masa për të neutralizuar sulmin, ndërsa autoritetet norvegjeze kanë nisur hetimet për zbardhjen e incidentit.

Autoriteti Norvegjez i Sigurisë Kombëtare (NSM) konfirmoi se është në dijeni të sulmit dhe se po ofron asistencë sipas nevojës.

Pavarësisht incidentit, autoritetet kanë bërë të ditur se prodhimi dhe shpërndarja e naftës dhe gazit natyror vijojnë normalisht. Hetimet po kryhen nga Autoritetet Norvegjeze të Sigurisë dhe Kundër Terrorizmit.