Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

41 muaj burgim efektiv për Thaçin e të tjerët në rastin kundër administrimit të drejtësisë

Hashim Thaci

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu, janë dënuar më 41 muaj burgim efektiv dhe një muaj burgim me kusht nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin kundër administrimit të drejtësisë. Me vendimin e shpallur nga gjyqtari Kristofer Gosnell, Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, Smakaj e Fazliu me nga 12 muaj burgim, Kuçi me një muaj burgim me kusht. Ndërsa ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm

Thaçi pas dënimit në Hagë: Kjo është politikë, nuk është drejtësi

16 o. më parë / 17 nën 2026 11:57
hashim thaci

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar në sallën e gjyqit në Hagë pas shpalljes së dënimit të tij të dytë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Pas shqiptimit të dënimit prej 17 muajsh burgim, Thaçi në momentin kur është ulur, ai është dëgjuar duke shprehur pakënaqësinë me vendimin e gjykatës.

“Kjo është politikë, nuk është drejtësi”, ka thënë Thaçi në sallën e gjyqit.

Thaçi dënohet me 17 muaj burgim në rastin kundër administrimit të drejtësisë

17 o. më parë / 17 nën 2026 10:50 Nga: Blendina Veliqi
Hashim tha

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim për veprat penale që lidhen me administrimin e drejtësisë

Ai është shpallur fajtor për trentativë për pengimin të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët. Gjithashtu është shapallur fajtor edhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe për mosbindje ndaj gjykatës. 

Dënimi është shpallur nga gjyqtari Kristofer Gosnell, të martën në seancën e mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. 

Thaçi është shpallur i pafajshëm për tentativë për pengim të personave zyrtarë sipas pikës 3 të aktakuzës si dhe për mosbindje ndaj gjykatës sipas pikës 9 të aktakuzës. 

Bashkim Smakaj është dënuar me 12 muaj burgim. Ai është shpallur fajtor për pengim të personave zyrtarë si dhe për mosbindje të Gjykatës. 

“Meqenëse keni kaluar më shumë muaj në paraburgim, ju liroheni”, ka thënë gjyqtari Gosnell.

Fadil Fazliu është shpallur fajtor për veprat pengim i drejtësisë dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ai është dënuar më 12 muaj burgim, i cili konsiderohet dënim i kryer për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.

Ndërkohë Hajredin Kuçi është dënuar me një muaj burgim me kusht për veprën mosbindje ndaj gjykatës. Dënimi sipas Gjykatës, konsiderohet i kryer pas një viti nëse Kuçi nuk kryen asnjë vepër tjetër penale.

Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm. Gjykatësi ka thënë se ai është shpallur i pafajshëm për mosbindje ndaj Gjykatës.

Gjyqtari Gosnell: Thaçi ishte në krye të grupit për pengimin e zyrtarëve të Prokurorisë

17 o. më parë / 17 nën 2026 10:42 Nga: Blendina Veliqi
thaci

Gjyqtari Kristofer Gosnell thotë se Hashim Thaçi ishte i vetëdijshëm se veprimet e tij do të pengonin punën e zyrtarëve të Prokurorisë.

Ai mori një shembull, për të cilin tha se është njëri ndër shumë që e dëshmojnë këtë vetëdijshmëri të Thaçit.

Ka shtuar tutje se Thaçi dhe Fadil Fazliu kanë tentuar që t’i pengojnë detyrat e personave zyrtarë, duke deklaruar se Thaçi ishte drejtues i këtij grupi.

“Kjo tregon se ishte i vetëdijshëm se veprimet e tij do të pengonin detyrat zyrtare të personave zyrtarë përgjegjës në paraqitjen dhe vlerësimin e dëshmitarëve kundër tij në çështjen gjashtë. Jam i bindur se tentativa për pengim kishte në shënjestër gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në çështjen 06 dhe Thaçi ishte drejtues-organizator i grupit. Rrjedhimisht, konstatohet jashtë dyshimit të arsyeshëm se z. Thaçi dhe Fazliu kanë tentuar që, me anë të veprimit të përbashkët, të pengojnë detyrat zyrtare të personave zyrtarë. Z. Thaçi kreu mosbindje ndaj Gjykatës dhe Fazliu e ka ndihmuar në mosbindje në pikën 17”, ka thënë ai.

Edhe në vizitën e 2 korrikut 2023, gjyqtari ka thënë se se Thaçi shkeli fshehtësinë e procedurës dhe kreu veprimin e “mosbindjes ndaj Gjykatës”.

“Nuk jam i bindur që z. Fazliu ndihmoi në nxjerrjen e këtyre informacioneve në momentin që ndodhën”, ka thënë ai.

Më pas, gjyqtari i trajtoi vizitat e  Bashkim Smakajt tek Thaçi për të cilat thuhet se janë zhvilluar me 9 shtator dhe 7 tetor 2023.

Gjatë këtyre vizitave, gjyqtari tha se cak për të ndikuar në dëshminë e tij ishte Bislim Zyrapi.

Ndërsa, thuhet se një dokument me udhëzime për Zyrapin u gjet gjatë bastisjeve të Prokurorisë te Smakaj.

“Jam bindur se tentativa për pengim kishte në shënjestër prokurorë dhe gjykatës… Thaçi ishte drejtuesi dhe organizatori i grupit. Rrjedhimisht, konstatoj se për z. Thaçi dhe Smakaj është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se kanë tentuar të pengojnë personat zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, tha Gosnell.

Sipas tij, Thaçi kreu mosbindje ndaj Gjykatës dhe Smakaj ndihmoi në mosbindje.

Në këto vizita, gjyqtari thotë se Thaçi shkeli fshehtësinë e procedurës se Thaçi dha informacione edhe për 5 dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë.  

Por, gjyqtari tha se nuk është i bindur që Smakaj ndihmoi në nxjerrjen e këtij informacioni.

Gjyqtari: Pretendohet se Thaçi organizoi tri grupe për pengim të drejtësisë

17 o. më parë / 17 nën 2026 10:23 Nga: Blendina Veliqi
Hashim Tahci

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka filluar seance e shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit në rastin në të cilin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Gjyqtari i vetëm, Christopher Gosnell gjatë shqiptimit të përmbledhjes së aktgjykimit tha se Thaçi, Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Kuçi akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik në kuadër të një çështje tjetër gjyqësore në të cilën Thaçi ishte i pandehur.

Sipas Gosnell, Thaçi pretendohet se organizoi tri grupe me Fazliun, Smakajn dhe Kilajn gjatë vizitave të këtyre të fundit në Hagë gjatë 2023-ës.

“Thuhet se secili prej grupeve do të përcillte udhëzime nga një dëshmitari, ndërsa për Thaçin ndër tjerash thuhet se shpalosi informacionin konfidencial për vizitorët e tij, kështu duke shkelur fshehtësinë e gjykatës”, tha Gosnell.

Ai ka thënë se dëshmitë e nëntë dëshmitarëve u dëgjuan ose u pranuan gjatë gjykimit.

“Tre nga Prokuroria dhe gjashtë nga mbrojtja. Provat e pranuara përfshinin audio incizime, të dhëna telekomunikimi dhe mesazhe, të dhëna kompjuteri dhe printeri në objektin e paraburgimit”, ka theksuar Gosnell.

“Gjithsej 241 prova material të Prokurorisë dhe 163 prova material të mbrojtjes u pranuan si prova. Provat kryesore në këtë çështje janë audio incizimet e 5 vizitave mes z. Thaçit dhe të bashkë të akuzuarve të tij në objektin e paraburgimit. Këto audio inicime u autorizuan nga Gjykata”, ka shtuar Gosnell.

Ai gjithashtu ka thënë se mbrojtja kundërshton fuqimisht mbështetshmërinë në transkriptimin dhe përkthimin e këtyre audio incizimeve.